BotaLajme

Zelensky kërkon që bisedimet për anëtarësimin e Ukrainës në BE të nisin këtë vit

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se pret që bisedimet për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian, të nisin në fund të këtij viti.

“Synimi është që të nisin negociatat këtë vit dhe ky nuk është vetëm qëllim, po synim i madh”, ka thënë Zelensky në Kiev, në një konferencë të përbashkët me shefen e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel.

“Ukraina dhe BE-ja, ne jemi një familje”, ka thënë Michel.

“E ardhmja e Ukrainës është brenda BE-së”, ka shtuar ai, pa përmendur afate kohore.

“Vendosmëria juaj për të çuar vendin përpara lë mbresa”, ka thënë von der Leyen.

Ajo e ka pranuar se Ukraina ka bërë disa reforma, pavarësisht luftës, mirëpo ka shtuar se procesi për anëtarësim në BE nuk ka “afate të vrazhda kohore”.

Këto deklarata janë bërë në kuadër të një samiti që është mbajtur mes BE-së dhe Ukrainës në Kiev.

Anëtarësimi në bllokun evropian është proces tejet kompleks dhe i gjatë, pasi lidhet me harmonizimin e ligjeve të vendit përkatës dhe ato të BE-së.

Procesi nga statusi i vendit kandidat, të cilin Ukraina e ka siguruar vitin e kaluar, e deri te nisja e bisedimeve zyrtare, në të kaluarën ka zgjatur, me raste, më shumë se një dekadë./R.E.L

Show More

Related Articles

Back to top button