Kontingjenti i parë i ndihmave humanitare nga Shoqata e Kryqit të Kuq për Sirinë u dorëzua pa probleme në orën 10 të së premtes.
Drejtuesi i ekipit të shpëtimit në Siri i Shoqatës së Kryqit të Kuq Kinez Guo Yang u shpreh që kontingjenti i parë i ndihmës për Sirinë përfshin materiale e pajisje mjekësore, si ilaçe, fasha e gëzhdalla. Më vonë do të dërgohen edhe materiale të tjera mjekësore .
Ekipi tani ndodhet në Damask, ku ditët e fundit ka pasur dëborë, por që nga e premtja moti është përmirësuar. Pas mbërritjes, ekipi kinez i shpëtimit komunikoi me Lëvizjen e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe dhe tani është në gjendje të mirë. Ekipi ka mbaruar tani dorëzimin dhe rregullimin e materialeve të para dhe e ka nxitur dhe ndihmuar Gjysmëhënën e Kuqe Siriane t’i dërgojë këto materiale sa më parë në zonat e prekura. Punët e ndihmës tani po zhvillohen mbarë .
Lidhur me punën e pjesëtarëve të ekipit kinez të shpëtimit, Guo Yang bëri të ditur: “Në materialet e ndihmës ka ilaçe dhe pajisje për fiksimin e kockave të thyera. Kjo është arsyeja përse ka mjekë në ekipin tonë. Kemi komunikuar me Gjysmëhënën e Kuqe të Sirisë dhe kemi bërë shpjegime për ilaçet përkatëse, duke dhënë këshilla për mënyrën e përdorimit të tyre. Krahas kësaj, në vitin 2018 dhuruam njësi të lëvizshme mjekësore për Gjysmëhënën e Kuqe të Sirisë dhe tani këto njësi janë në përdorim në zonat e prekura. Mjekët kinezë do të bëjnë kontrollin e këtyre pajisjeve dhe do të drejtojnë personelin vendor për përdorimin e përshtatshëm të tyre. Ndërkohë, mjekët kinezë, bashkë me palën siriane, do të bëjnë vlerësime për nevojat vendore mjekësore e do ta raportojnë gjendjen përkatëse, dhe më pas do të merren vendime të mëtejshme për fazën tjetër.”
Siç njoftohet, në mëngjesin e së hënës nga Pekini është nisur kontingjenti i dytë i materialeve të ndihmës, që përfshin tenda, batanije dhe kuti të ndihmës së parë. Guo Yang tha që ekipi i shpëtimit po zhvillon koordinim për dorëzimin dhe shpërndarjen e materialeve të ndihmës dhe do të përpiqet t’i dërgojë sa më parë ato në zonat e prekura.