LajmeMaqedoni

Shënohet 28 vjetori i ligjëratave të para në Poroj

28 vjet më parë, më 17 shkurt të vitit 1995 në fshatin Poroj të Tetovës u mbajtën ligjëratat e para të Universitetit të Tetovës. Për të shënuar, këtë përvjetor, një delegacion i Universiteti të Tetovës ka bërë homazhe te busti i dëshmorit të arsimit shqip, Abdylselam Emini, si dhe homazhe janë bërë edhe te varri i themeluesit dhe Rektorit të parë të UT-së, Fadil Sulejmani.

Ndërkaq, pas homazheve, është mbajtur edhe një akademi përkujtimore në Universitetin e Tetovës. Zeqirja Idrizi, lexoi referatin kryesor për nderë të ligjëratave të para, kurse, në ndërkohë, rektori i Universiteti të Tetovës Kushtrim Ahmeti, tha se vendimi për themelimin e Universitetit të Tetovës ishte një hap historik, i sjellë nga strukturat më vizionare të inteligjencies shqiptare në Maqedoni, me objektiv të zgjidhnin çështjen e arsimit sipëror në gjuhën amtare shqipe. Në rrugëtimin e gjatë, gati 30-vjeçar, UT-ja shënoi të arritura të konsiderueshme në fushën arsimore, shkencore dhe kulturore, si dhe për hapjen e perspektivave të reja të shoqërisë shqiptare në këtë shtet, përkundër problemeve të shumta, me të cilat u ballafaqua në fillimet e tij, nga qëndrimet antidemokratike dhe ngufatëse të pushtetit ndaj arsimit në gjuhën shqipe. “28 vjet më parë, më 17 shkurt të vitit 1995, në këtë datë të shënuar për arsimin sipëror në gjuhën shqipe, në fshatin Poroj të Tetovës u mbajtën ligjëratat e para të Universitetit të Tetovës. Po të njëjtën ditë, në fshatin Reçicë e Vogël, nisja e ligjëratave u shoqërua edhe me konfrontim mes banorëve dhe policisë, i cili përfundoi me një bilanc tragjik, me shumë të lënduar, të burgosur dhe rënien e dëshmorit të arsimit në gjuhën shqipe, Abdylselam Emini”, u shpreh mes tjerash Kushtrim Ahmeti, rektor i Universitetit të Tetovës. Ai nënvizoi se asnjë forcë nuk mund ta ndalë përmbushjen e idealit për të pasur universitet në gjuhën shqipe. “Ligjëratat e para në këtë tempull të diturisë filluan më 17 shkurt 1995, edhe pse rrethanat politike ishin mjaft të tendosura, ku u mobilizuan forca të armatosura për ta vrarë dijen, shkencën, përparimin dhe ardhmërinë e shqiptarëve në këtë vend. Por, kur populli e mbështeti këtë projekt madhor kombëtar dhe këtë ide fisnike, siç është Universiteti, u dëshmua se asnjë forcë nuk mund ta ndalë përmbushjen e kësaj ideje dhe jetësimin e këtij ideali”, tha rektori Ahmeti.

Në këtë akademi u theksua se 17 shkurti i vitit 1995, shënon një kthesë historike për rilindjen tonë kulturore dhe kombëtare, duke na rreshtuar me kombet e përparuara të qytetërimit bashkëkohor, që të ecë me hapa të sigurt drejtë progresit shoqëror. Muzeu i Universitetit të Tetovës në fshatin Poroj, të premten ka qenë i hapur për të gjithë të qytetarët. Gjatë ditës, të interesuarit kanë mundur të vizitojnë muzeun, ku janë njohur me origjinalitetin e klasave ku filluan ligjëratat e para të UT-së, arkivin dhe misionin e këtij universiteti.

Ndërkaq, bashkësia lokale e fshatit Poroj, mbajti edhe një manifestim për nderë të mbajtjes së ligjëratave të para të Universitetit të Tetovës. (koha.mk)

Show More

Related Articles

Back to top button