Qetësia në kryeqytetin ukrainas, Kiev, ka zgjatur vetëm një muaj, pasi Rusia ka vendosur të rikthejë bombardimet në këtë qytet.
Kryebashkiaku i këtij qyteti, Vitali Klitschko dhe vëllai i tij, legjenda tjetër e boksit, Vladimir Klitschko, kanë folur për gazetën BILD.
Vitali tha se Rusia nuk po sulmon objektivat ushtarakë. “Qëllimi i tyre është që Ukrainë dhe gjithë Europa të vdesin për bukë,” tha Vitali.
“Qielli mbi kokat tona nuk është i sigurt. Europa duhet të kuptojë këtë”, tha nga ana tjetër Vladimiri.
“Putini ka shkatërruar jetën e miliona njerëzve. Ai e nisi këtë luftë, ai mund ta mbarojë. Ka shumë spekulime nëse Putini e nisi këtë luftë sepse është sëmurë dhe nuk i ka mbetur edhe shumë për të jetuar. Nuk kam informacione për këtë. Por miliona njerëz, jetët e të cilëve janë shkatërruar nga Putini, kanë vetëm një dëshirë: Ose të zhduket Putini- ose Zoti ta marrë mbrapsht”, shton më tej Vitali.
I pyetur nëse ukrainasit shpresojnë se Putini mund të vdesë, Vladimiri thotë: “Është shpresa e mbarë botës që kjo luftë të mbarojë- me çdo mjet! Nuk ka rëndësi se si, për shkak se shumë njerëz, përfshi fëmijë,po vuajnë. Mbi një mijë fëmijë janë plagosur ose janë vrarë në këtë luftë”.