Drejtuesit e institucioneve në vend flasin të entuziazmuar për zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, megjithatë kur vjen puna për vepra konkrete për zbatim të këtij ligji hapat hidhen si ato të breshkës. Katër vite nga sjellja në fuqi e këtij ligji, Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare e gjen gjuhën shqipe ende pa zbatuar në nivelin që parashihet në dispozitat ligjore. Nga Agjencia e Gjuhëve thonë se disa institucione justifikohen për moszbatimin e ligjit me mungesën e përkthyesve. Ndërkohë që bëhen këto ankesa, në listën e Entit për Punësim ka dhjetëra përkthyes dhe student të Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe që presin për një vend pune.
“Në evidencën tonë kemi gjithsej 128 persona të papunë, të cilët kanë përfunduar studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe dhe 16 përkthyes shqip- maqedonisht dhe anasjelltas. Këtu dëshiroj të theksoj se kemi edhe dy magjistër dhe një doktor shkencash të evidentuar si të papunë”, deklaroi Bekim Murati- drejtor i Entit për Punësim.
Nga Grupi i Zjarrit risjellin në vëmendje se në programin qeverisës të BDI-së një nga premtimet është edhe hapja e 6500 vendeve të reja të punës për përkthyes dhe lektor me qëllim të implementimit të tërësishëm të ligjit të gjuhëve në të gjitha institucionet. Nëse kjo do të ishte realizuar, rrjedhimisht nuk duhet të kishte ankesa nga institucionet për mungesë kuadri dhe as nuk duhet të kishte përkthyes që presin për një vend pune. Ky premtim ka dështuar, sipas Izet Mexhitit, sikur edhe shume premtime të tjera të BDI-së.
Tre institucionet kyçe për zbatimin e Ligjit të Gjuhëve janë Qeveria, Agjencia për Zbatimin e Gjuhëve dhe Inspektorati për zbatimin e Gjuhëve. Ky i fundit përveç se u themelua me vonesë, vazhdon të përballet me vështirësi në realizimin e detyrave. Ky institucion nuk ka as një veturë për ata pak inspektorë që ka të punësuar. Buxheti është i njëjtë si vitin e kaluar, 16 milion denarë, ndërsa nuk është dhënë pëlqim për punësime të reja.
“Për momentin kemi vetëm 6 inspektor të licencuar, në muajin maj licencohen edhe dy. Pra, do të kemi 8 inspektorë. Duhet të jenë 32 inspektorë. Kemi edhe një problem që unë si drejtor dua ta them. Inspektorati për Zbatimin e Gjuhëve nuk ka veturë zyrtare.
Inspektorët s’kanë veturë zyrtare. Mbikëqyrjet inspektuese i kryejmë me veturën time personale”, tha Fatmir Iseni- drejtor i Inspektoratit të Gjuhëve.
Inspektorati deri tani ka realizuar mbi 130 mbikëqyrje inspektuese, por asnjë sanksion. Drejtori i Agjencisë për Zbatimin e gjuhëve nuk përmendi cilat institucione nuk kanë qasje konstruktive për zbatimin e këtij ligji, por tërthorazi la të kuptohej se ka të tilla.
“Sa i takon mbështetjes që kërkojnë institucionet, ajo varet nga Inspektorati. Sa më shumë të jetë aktiv Inspektorati, aq më shumë institucionet kërkojnë mbështetje nga ne. Unë e kam ditur që kjo punë nuk do të shkojë lehtë, prandaj gati 90% të institucioneve i kam vizituar drejtpërdrejt”, deklaroi Ylber Sela- drejtor i AZGJ-së /Alsat.mk