BotaLajme

Shërohet pacienti i tretë me HIV në Gjermani

Studiuesit kanë raportuar një rast të tretë të një personi që është shëruar nga HIV pasi i është nënshtruar një transplanti të qelizave staminale që synon shërimin e leucemisë së tij. Studimi, i botuar në revistën shkencore Nature, përshkruan rastin e një pacienti mashkull 53-vjeçar, i cili iu nënshtrua një transplanti të palcës kockore (qeliza burimore) për të trajtuar leuçeminë e tij.

Ashtu si pacientët “London” dhe “Berlin”, dhuruesi kishte një mutacion të rrallë që jep rezistencë ndaj llojeve të caktuara të HIV-it, si HIV-1.

“Kjo nënvizon se këto qasje janë premtuese dhe gjithashtu të riprodhueshme, pasi nuk mbetet një rast i izoluar,” tha Jürgen Rockstroh në një deklaratë.

Rockstroh është një profesor dhe drejtues i infektiologjisë në Spitalin Universitar të Bonit të Gjermanisë dhe nuk ishte i përfshirë në hulumtim. Megjithatë, theksuan studiuesit, trajtimi nuk ka qenë i suksesshëm për disa pacientë të tjerë që e kanë marrë atë.

Edhe pse ka ende debate se çfarë do të thotë të “shërohesh nga HIV”, rasti i ri i shtohet dy rasteve të mëparshme të kurimit të HIV-it duke përdorur të njëjtin lloj transplanti të qelizave staminale si pacienti nga Berlini dhe ai nga Londra.

Është e vështirë të vërtetohet përfundimisht se dikush është shëruar nga HIV, sepse virusi mund të mbetet i fshehur brenda qelizave imune me jetë të gjatë dhe metodat e disponueshme për t’i zbuluar ato janë të kufizuara, shkroi eksperti për HIV Sharon Leëin dhe kolegia Jennifer Zerbato në The Lancet në 2020 .

Ekziston një receptor në qelizat e synuara të virusit HIV të quajtur CCR5. Të tre rastet përfshinin pacientë HIV-1 pozitivë të cilët iu nënshtruan një transplanti të qelizave staminale nga një donator me të dyja kopjet e një mutacioni të rrallë, por natyral të CCR5.

Individët me këtë mutacion kanë shprehje më të ulët ose aspak të receptorit CCR5 në qelizat e tyre, duke siguruar mbrojtje kundër disa llojeve të virusit HIV. Transplanti në thelb zëvendëson sistemin imunitar të pacientit me atë që është rezistent ndaj HIV.

Pacienti, identiteti i të cilit nuk është zbuluar, ishte pozitiv për HIV-in e tipit 1 (HIV-1) dhe u monitorua nga studiuesit në Spitalin Universitar të Düsseldorfit për më shumë se nëntë vjet pas transplantimit të tij në shkurt 2013.

Pacienti kishte një lloj leuçemie të quajtur leuçemi mieloide akute. Leuçemia është një lloj kanceri që prek palcën e eshtrave, indin sfungjer brenda kockave të njeriut që prodhon gjak të ri dhe qeliza imune. Pacienti vazhdoi të merrte ilaçe antivirale për HIV deri në nëntor 2018, kur studiuesit vendosën të ndalonin trajtimin sepse, sipas tyre, ishte mënyra e vetme për të ditur nëse pacienti ishte shëruar.

Katër vjet pas ndërprerjes së terapisë antiretrovirale, studiuesit nuk mund të zbulonin asnjë gjurmë të virusit HIV të aftë për t’u infektuar dhe matën nivelet në rënie të antitrupave specifikë të HIV-1.

Show More

Related Articles

Back to top button