Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ka hequr testin negative për të gjithë udhëtarët ndërkombëtarë në Shtetet e Bashkuara. Ata që udhëtojnë për në SHBA nuk do të kenë më nevojë për një test negativ për COVID-19 një ditë para fluturimit të tyre.
Zyrtarët shëndetësorë janë shprehur se vendi ka bërë një përparim të jashtëzakonshëm në luftën kundër Covid-19 me një përhapje të gjerë të vaksinave dhe trajtime mjekësore për të parandaluar sëmundje të rënda dhe vdekje që janë efektive kundër varianteve të përhapura që qarkullojnë në SHBA dhe në mbarë botën.
Fillimisht, administrata e Biden kishte kërkuar nga udhëtarët e vaksinuar plotësisht, përfshirë qytetarët amerikanë, të tregonin prova të një testi negativ brenda tre ditëve të udhëtimit dhe personave të pavaksinuar të tregonin një test negativ brenda një dite.
Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve do të bëjnë një rivlerësim të rregullit në 90 ditë më pas. Nëse shfaqet një variant i ri, mund të konsiderohet rivendosja e kërkesës së testimit para nisjes.
Linjat ajrore dhe grupet e udhëtimit kanë lobuar në Shtëpinë e Bardhë për të hequr kërkesat e testit COVID-19 për udhëtarët në hyrje për të ndihmuar në rigjallërimin e udhëtimeve ndërkombëtare duke përfituar komunitetet në të gjithë vendin që mbështeten shumë në udhëtimet dhe turizmin.
Shumica e vendeve në Evropë – përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Gjermaninë, Greqinë dhe Italinë kanë hequr kërkesat e testimit për të hyrë në vend. Por të tjerët, si Japonia dhe Koreja e Jugut, ende kërkojnë prova të një testi negativ. /Klan News/