Ka qenë kryeministër i Vladimir Putinit, por Mikhail Kasyanov nuk e kishte imagjinuar kurrë se ish shefi i tij do të ndërmerrte një luftë në shkallë të gjerë kundër Ukrainës.
Kasyanov, që drejtoi qeverinë në Rusi nga viti 2000 deri në 2004-tën, pret që konflikti me vendin fqinj të zgjasë deri në dy vjet, megjithatë ushqen bindjen se Rusia mund t`i kthehet rrugës së demokracisë.
Por ndërkohë, është e një rëndësie kyçe sipas tij, që Ukraina të fitojë, sepse nëse ajo bie, pas saj, radhën e kanë shtetet baltike.
“Putini është jashtë kontrollit. Jo në aspektin mjekësor, por në atë politik. Në të kaluarën, ka qenë tjetër njeri. Perëndimi nuk priste që ukrainasit të mbronin veten me kaq vendosmëri, të mbronin pavarësinë, sovranitetin e tyre. Tani po e shohin që kjo është jo vetëm e mundur, por është dhe e nevojshme të japin ndihmën e tyre sepse Ukraina në fakt mbron të gjithë Europën nga agresioni i mëtejshëm i Putinit”, tha ish-kryeministri i Rusisë, Mikhail Kasyanov.
Sot një politikan opozitar dhe kritik i hapur i shefit të Kremlinit, Kasyanov, paralajmëron se rezultati i luftës së nisur nga Moska kundër Ukrainës, do të përcaktojë të ardhmen e Rusisë e më gjerë.
Ai është i bindur se Putini do të zëvendësohet nga një pasardhës i kontrolluar nga shërbimet ruse të sigurisë, dhe thotë se do të duhet rreth një dekadë që Rusia t’i rikthehet rrugës së ndërtimit të shtetit demokratik dhe të “deputinizohet”.
“Do të jetë e vështirë“, shprehet Kasyanov, i cili edhe kur ishte kryeministër bënte thirrje për lidhje më të forta me Perëndimin./TCH/