BotaLajme

Bilanci tragjik: Më shumë se 50,000 viktima prej tërmetit në Turqi dhe Siri

OBSH e quan tërmetin në Turqi dhe Siri si fatkeqësinë më të rëndë natyrore prej një shekulli. Bilanci tragjik i numrit të viktimave shkon në 50.000.

Tri javë pas tërmetit shkatërrues në rajonin kufitar turko-sirian numri i të vdekurve është rritur në mbi 50,000 vetë. Sipas numërimit të bazuar në të dhënat e autoriteteve turke dhe siriane tërmeti me magnitudë 7.8 i datës 6 shkurt ka shkaktuar deri tani 44,374 të vdekur në Turqi dhe 5,951 në Siri.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka klasifikuar tërmetin e 6 shkurtit si “katastrofën më të rëndë natyrore” që prej një shekulli në Evropë.

Ditët e fundit ka pasur disa goditje pasuese të rënda.

Prej tërmetit humbën shtëpitë e tyre miliona vetë. Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore vetëm në Turqi dëmet materialeshkojnë në më shumë se 34 miliardë dollarë.

Po ashtu sipas Bankës Botërore pritet që si pasojë e tërmetit do të ketë edhe ndërprerje në aktivitetin ekonomik të vendit gjë që do të ketë efekte negative në prodhimin e brendshëm bruto.

Në Stamboll po evakuohen spitale për shkak të defekteve në ndërtim

Në metropolin e Stambollit ka nisur evakuimi i dy spitaleve për shkak të mungesës së sigurisë prej tërmetit.

Pacientët e spitalit shtetëror Kagithane do të transferohen në një spital në lagjen Sisli, tha në Hatay ministri i Shëndetësisë Fahrettin Koca. Evakuimi do të përfundojë brenda pak ditësh. Edhe Spitali Universitar i Stambollit Cerrahpasa po evakuohet./dw

Show More

Related Articles

Back to top button