Duket se koha po mbaron për të hequr veton turke mbi aplikimet e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim në NATO, përpara mbajtjes së samitit të radhës të organizatës ushtarake në Madrid, më 29-30 qershor.
Atmosfera duket e errët në korridoret e Brukselit, po ashtu edhe në Stokholm dhe Helsinki, pasi shpresat po veniten se mund të arrihet diçka në ditët që kanë mbetur para samitit që do t zhvillohet në kryeqytetin spanjoll.
Ai që mund të kishte qenë procesi më i shpejtë i i anëtarësimit në historinë e aleancës – me dy shtetet nordike, të cilat mund të bëheshin anëtaret numër 31 dhe 32 deri në fund të verës – duket e vështirë të arrihet. Në vend të kësaj, përflitet realisht se ky ngërç mund të zgjasë gjatë gjithë vitit.
Në fund, e gjithë vëmendja mbetet te lideri enigmatik i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, deklaratat e ashpra të të cilit kundër Finlandës, dhe veçanërisht kundër Suedisë, po merren më seriozisht se sa fillimisht. Të tjerë hedhin vështrimet përtej Atlantikut, me shpresën se presidenti i SHBA-së, Joe Biden, mund ta zgjidhë këtë ngërç.
Dhe, nëse kjo nuk ndodh, ka ende shpresë që kryeministret e Suedisë dhe Finlandës, përkatësisht Magdalena Andersson dhe Sanna Marin, mund të krijojnë një hapësirë për manovrim.
Por, ekziston edhe një person tjetër që mund të jetë në gjendje të zhbllokojë të gjithë situatën edhe pse ajo mund të rezultojë të jetë protagonistja më e vështirë për t’u bindur nga të gjithë. Njihuni me Amineh Kakabavehun – një kurde me origjinë iraniane dhe një ish-luftëtare Peshmerga, e cila aktualisht është një deputete e pavarur dhe një person me shumë influencë në Parlamentin suedez.
Kakabaveh është pa dyshim një nga politikanet më intriguese, më kundërthënëse dhe më të njohura në Suedi. Mjafton të shkosh jo më larg se titulli i autobiografisë së saj të vitit 2016 – “Amineh – Jo më e madhe se një kallashnikov” (Amineh – inte större än en kalasjnikov) për të kuptuar pse.
E lindur në provincën veriperëndimore të Kurdistanit, në Iran në vitin 1970, ajo iu bashkua guerilëve kurdë në moshën 13-vjeçare, por emigroi në Suedi gjashtë vjet më vonë. Duke punuar kryesisht si punëtore sanitare ndërkohë që ndiqte klasa mësimi në mbrëmje, ajo më në fund mori titullin master në shkencat sociale në Universitetin e Stokholmit. Në vitin 2008, ajo hyri në Parlament për partinë e majtë (Vänsterpartiet) dhe që atëherë është rizgjedhur në çdo mandat qeverisës. Ajo u shpall madje edhe “Suedezja e vitit” nga një prej botimeve më me ndikim të politikës.
Pavarësisht se është një marksiste e vetëshpallur, ajo u përjashtua nga partia e saj tre vjet më parë pas grindjeve të ashpra mbi atë që ajo e perceptonte si injorancën e së majtës politike mbi rolin e strukturave klanore patriarkale në periferitë e populluara nga emigrantët – diçka për të cilën shumë nga kolegët e saj partiakë e konsideronin si “islamofobike”.
Dhe, pikërisht si një politikane e pavarur ajo ka bërë vërtet emër kohët e fundit. Falë mbështetjes së saj, Qeveria e pakicës socialdemokrate, e udhëhequr nga Andersson, mundi të shihte dritën vitin e kaluar.
Dhe për të siguruar votën e saj, asaj iu premtuan plot gjëra, kryesisht të lidhura me mbështetjen e Stokholmit për çështje të ndryshme kurde:
Rritja e bashkëpunimit me PYD-në, një parti e krahut të majtë kurd në Siri që Ankaraja e kundërshton? Po!
Mbështetje për milicinë kurde siriane “YPG”, të cilën Ankaraja thotë se është një degë e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) të cilësuar si organizatë terroriste nga Turqia? Po!
Kërkesa për lirimin e politikanit turko-kurd, Selhattin Demirtash që vuan dënimin në një burg turk? Po!
Por, nuk mbaron me kaq.
Javën e kaluar, Qeveria suedeze pothuajse u rrëzua pasi opozita deklaroi një mocion mosbesimi ndaj ministrit të Drejtësisë. Në një votim të shumëpritur, atyre u mungonte një votë – ajo e Kakabavehut, natyrisht.
Dhe, ndërkohë që asnjë kërkesë e re nuk u zyrtarizua mes saj dhe partisë në pushtet, ajo tha për mediat se pret që Suedia të mbajë në fuqi embargon e armëve ndaj Turqisë dhe se duhet bërë më shumë për të lehtësuar kufizimet për rreth 130 kurdë në Suedi, të cilët shihen si rrezik për sigurinë kombëtare nga shërbimet suedeze të sigurisë, për shkak të lidhjes së tyre me YPG-në.
Ajo, gjithashtu, vuri në dukje, jo pa një ngjyrim kërcënues, se javën e ardhshme ka një tjetër votim vendimtar në Parlamentin suedez për miratimin e buxhetit të pranverës. Dhe, nëse Qeveria nuk mund të arrijë një marrëveshje pak të mundshme me partitë e krahut të djathtë, shtypja e butonit të gjelbër nga ana e saj, do të rezultojë edhe një herë vendimtare që buxheti të hyjë në fuqi.
Me Finlandën që ka pak gjasa të vazhdojë e vetme, pasi ajo aplikoi për t’u bashkuar me NATO-n së bashku me fqinjin e saj më të madh, duket se pozicioni i pasigurt i Qeverisë suedeze do të parandalojë që çdo marrëveshje e mundshme me Turqinë të ndodhë së shpejti.
Shumë vende në Perëndim kanë hequr, ose të paktën nuk e kanë aplikuar embargon e armëve ndaj Turqisë, por tani për tani duket e pamundur që Suedia të ndjekë shembullin e tyre.
Nuk duket e mundshme as që Stokholmi tani të mund të marrë vendim për ta klasifikuar YPG-në si organizatë terroriste, siç bëri me PKK-në dekada më parë. Dhe, ekstradimi i shtetasve turq që dyshohet se janë të përfshirë në secilën nga organizatat që aktualisht kanë selitë e tyre në Suedi, ka pak gjasa të ndodhë.
Por, edhe në Turqi gjërat komplikohen nga fakti që Erdogani mund të ndihet nervoz për rënien e popullaritetit të tij për shkak të vështirësive ekonomike të vendit dhe normës së lartë të inflacionit. Dhe, ku ka kohe më të mirë për të ringjallur ndjenjën nacionaliste para zgjedhjeve të përgjithshme vitin e ardhshëm?
Por edhe para kësaj, në Suedi mbahen zgjedhjet e përgjithshme në shtator.
Pas këtyre zgjedhjeve, Kakabaveh mund të mos jetë më në pozitë të privilegjuar, duke e çliruar kështu edhe Stokholmin nga disa prej zotimeve të bëra ndaj saj.
Apo tashmë socialdemokratët do ta braktisin atë dhe angazhimet e tyre ndaj saj pas votimit të javës së ardhshme për buxhetin, duke llogaritur se populli suedez në përgjithësi është më i interesuar të rrisë sigurinë e tij me një anëtarësim të shpejtë në NATO, sesa të kundërshtojë Erdoganin duke mbështetur kauzat e ndryshme kurde?
Diçka duhet dhënë nëse Qeveria suedeze dëshiron të zhbllokojë ngërçin para ose gjatë samitit të NATO-s në Madrid./ REL/TCH/