Janë identifikuar 57 viktimat e aksidentit tragjik në Tempi të Greqisë, teksa 56 persona rezultojnë ende të zhdukur. Sipas medias greke “Kathimerini”, identifikimi i trupave u bë duke marrë mostra të ADN-së së familjarëve, teksa të plagosur janë 48 persona.
Të enjten (2 mars), ambasadorja e Shqipërisë në Greqi, Luela Hajdaraga konfirmoi për rtsh.al se mes të zhdukurve janë edhe 4 shtetas shqiptarë. Ambasada konfirmoi se me statusin e të zhdukurve janë studentja 21-vjeçare e mjekësisë, Klaudia Lata dhe 2 personat e tjerë të identifikuar si Pavlin Bozo dhe Denis Ruçi. Ndërkohë shqiptarët Roberto Dristi 25 vjeç dhe Anisa Liuri 23 vjeç po trajtohen në Repartin e Mjekimit Intensiv, ndërsa 7 shtetas me nënshtetësi shqiptare rezultojnë të lënduar, jashtë rrezikut për jetën.
Këtë të premte, trupat e viktimave do t’i dorëzohen familjarëve, që do t’i japin atyre lamtumirën.
Ngjarja e rëndë ndodhi pak para mesnatës së të martës, ku një tren pasagjerësh që transportonte 350 persona u përplas me një tren mallrash pasi të dy përfunduan në të njëjtën linjë, duke bërë që vagonët e përparmë të shpërthejnë në flakë.
Një përgjegjës stacioni 59-vjeçar në Larisa është akuzuar për vrasje nga pakujdesia dhe do të dalë në gjykatë të enjten. Ai ka mohuar akuzat, duke deklaruar se shkak për përplasjen u bë një defekt teknik.
Ministri i transportit i vendit ka dhënë dorëheqjen për incidentin, duke thënë se ai do të marrë përgjegjësinë për “dështimet e gjata” të autoriteteve për të rregulluar një sistem hekurudhor që nuk ishte i përshtatshëm për shekullin e 21-të. Ndërkohë, qeveria greke ka premtuar një hetim të pavarur që premton se do të japë drejtësi.
/rtsh.al/