Gratë, të cilat merren me bujqësi në viset rurale në Maqedoninë e Veriut, thonë se ndihen të diskriminuara pasi nuk arrijnë të gëzojnë të drejtën e pushimit të lehonisë, pavarësisht se janë të regjistruar si fermere dhe paguajnë për sigurim pensional dhe shëndetësor.
Një nga to është dhe Sonja Pusoska, nënë e tre fëmijëve nga rrethina e Krushevës.
Ajo thotë për Radion Evropa e Lirë se menjëherë pas lindjes është dashur që me foshnjën e saj disa javëshe në krah apo të vendosur në karrocë, të dalë në arë, për të punuar, pasi të vetmet të ardhura në familjen e saj janë ato që i sigurojnë përmes prodhimeve bujqësore.
“Isha e detyruar të dal në arë për të punuar menjëherë pas lindjes së fëmijëve, pasi neve grave fermere nuk na takon pushimi i lehonisë. Kështu që, bashkë me foshnjën e vendosur në karrocë apo duke e mbajtur në krahë, unë kam punuar gjithçka që ka të bëjë me punët në bujqësi”, tregon ajo.
Pusoka si fermere thekson se qasja jo e përgjegjshme nga ana e institucioneve të shtetit, ka bërë që shumë toka të mbeten djerrina dhe shumë familje të shkojnë në vendet e Bashkimit Evropian dhe atje të merren me punët e bujqësisë, për të cilat kanë shumë njohuri, për arsye se atje sistemi siguron pushim lehonie për gratë e angazhuara në bujqësi.
“Ne këtu, si gra fermere, përballemi me probleme financiare pikërisht në kohën kur kemi më së shumti nevojë për para, pra kohën e rritjes së fëmijëve gjatë muajve të parë të jetës së tyre”, thotë Pusoska.
Në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 1.075 gra si fermere.
Në saje të masave që ka miratuar Ministria e Bujqësisë për afirmimin e grave që merren me bujqësi, fermeret paguajnë shkallë më të ulët për sigurim pensional dhe atë shëndetësor, pra që më pas të gëzojnë të drejtën e pensionit dhe të marrin shërbimet shëndetësore. Mirëpo, ato nuk mund ta shfrytëzojnë të drejtën e pushimit të lehonisë.