Sulmet e Rusisë gjatë natës kanë vrarë të paktën 11 persona dhe kanë lënë 22 të plagosur, sipas zyrtarëve lokalë.
Ndërsa sulmi vazhdoi deri në orët e para të mëngjesit të së enjtes, 81 raketa u hodhën në disa rajone të Ukrainës, përfshirë kryeqytetin e vendit, Kiev, duke plagosur tre.
Në qytetin perëndimor të Ukrainës, Lviv, pati sulme të tjera, pasi u shkatërruan tre ndërtesa banimi. Raportet tregojnë se të paktën pesë janë vrarë ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë të kërkojnë për viktima të tjera.
Kishte më shumë viktima në rajonin Kherson, ku të paktën tre persona vdiqën dhe tre të tjerë u plagosën pasi bombardimet goditën zonat e banuara dhe ndërtesat e banimit.
Në rrethin e Kharkiv një raketë plagosi dy gra të moshuara, ndërsa pjesa tjetër e rajonit është aktualisht pa energji, thanë autoritetet rajonale.
Në rajonin e Dnipropetrovsk, sipas informacioneve paraprake, një person ka humbur jetën dhe dy janë plagosur.
Rajone të tjera të goditura nga sulmet ruse përfshijnë Luhansk, Mykolaiv, Odesa, Ivano-Frankivsk, Chernihiv, Sumy, Zaporizhzhya, Kirovohrad dhe Vinnytsia.
Predhat ruse goditën gjithashtu një spital dhe të paktën 9 ndërtesa banimi në Donetsk, duke vrarë dy civilë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dënoi sulmet në një mesazh në Facebook të enjten duke pretenduar se Rusia “nuk do t’i shmanget përgjegjësisë për gjithçka që ata kanë bërë”./21Media