Ankaraja nuk tregoi asnjë shenjë për heqjen e bllokadës ndaj pranimit të Stokholmit dhe Helsinkit në NATO në një takim që u zhvillua ditën e enjte.
Përfaqësuesit nga të trija vendet u mblodhën për herë të parë që nga nëntori, ndërkohë që zyrtarët e aleancës kërkuan nënshkrimin e Turqisë.
Suedia e konsideroi takimin si një hap përpara – pavarësisht mungesës së rezultateve konkrete.
“Gjëja më e rëndësishme sot është që ne jemi takuar”, u tha gazetarëve në selinë e NATO-s në Bruksel negociatori suedez Oscar Stenström pas bisedimeve. Palët, tha ai, “kanë rënë dakord për takime të mëtejshme”.
Ndërkohë që 28 nga 30 shtetet anëtare të NATO-s ishin të shpejtë për ta miratuar Suedinë dhe Finlandën që t’i bashkoheshin aleancës, parlamentet e Turqisë dhe Hungarisë nuk i kanë ratifikuar ende ofertat e tyre për anëtarësim.
Ankaraja, Stokholmi dhe Helsinki nënshkruan një memorandum përmes të cilit përshkruhen hapat që palët do t’i merrnin adresimin e shqetësimeve turke mbi eksportet e armëve dhe terrorizmin në samitin e aleancës në Madrid verën e kaluar, kur udhëheqësit e NATO-s vendosën ta ftojnë Suedinë dhe Finlandën për t’iu bashkuar NATO-s.
Megjithatë, pavarësisht ndryshimeve të politikave në Finlandë dhe Suedi, për shembull, projektligje të dizajnuara për ta parandaluar pjesëmarrjen në organizatat terroriste, Ankaraja ka vazhduar ta bllokojë anëtarësimin dhe të ngrejë kundërshtime – veçanërisht kundër Suedisë.
Tensionet u thelluan veçanërisht pasi një politikan danez i ekstremit të djathtë dogji një kopje të Kuranit në Stokholm pranë ambasadës turke në muajin janar.
Dhe, teksa mbetet ende e paqartë saktësisht se çfarë kërkon Turqia me bllokimin e saj të vazhdueshëm, ka spekulime brenda aleancës se procesi i zgjatur është pjesërisht për shkak të konsideratave të brendshme politike të Presidentit Rexhep Tajip Erdogan – si dhe një përpjekje për të fituar ndikim në marrëdhëniet e Ankarasë me Uashingtonin.
Stenström, negociatori suedez, deklaron se Turqia e vëren se Suedia dhe Finlanda kanë “ndërmarr hapa konkretë”, duke e karakterizuar këtë si “një shenjë të mirë”.
Mirëpo, miratimi i vonuar ka nxitur zhgënjim në të gjithë aleancën.
Tani, ka spekulime në rritje nëse Finlanda mund të përfundojë në NATO përpara Suedisë.
Për aleatët e NATO-s, si qëllim kryesor është ta marrin miratimin turk dhe hungarez për të dyja vendet përpara samitit të ardhshëm të liderëve të aleancës, të planifikuar për në korrik në Vilnius të Lituanisë.
Një vonesë përtej takimit vjetor, zyrtarët shqetësohen, mund të jetë e turpshme për aleancën.
I pyetur nëse është realiste që Suedia të anëtarësohet në NATO përpara samitit, Stenström nuk pranoi të angazhohej për një afat kohor.
“Qëllimi im si kryenegociator është sa më shpejt që të jetë e mundur, natyrisht; por nuk mund të premtoj ndonjë datë,” ka deklaruar ai, duke shtuar se “jemi të fokusuar në dorëzimin për ta përmbushur memorandumin.”
Helsinki dhe Stokholmi kanë marrë tashmë garanci sigurie nga shumë aleatë të NATO-s, duke i minimizuar rreziqet për sigurinë e tyre. Por një vonesë do t’i ndërlikonte gjithsesi proceset e planifikimit të aleancës dhe mund të ndikonte në besueshmërinë e saj politike.
Megjithatë, ka shpresë brenda aleancës që Ankaraja mund të nënshkruajë pas zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Turqisë – që priten të mbahën në muajin maj – por ende përpara samitit të Vilniusit.
“Tani është koha që të gjithë aleatët të përfundojnë procesin e ratifikimit dhe të mirëpresin Finlandën dhe Suedinë si anëtarë të plotë të aleancës përpara samitit të ardhshëm të NATO-s në Vilnius”, tha të enjten Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Në një deklaratë pas seancës, shefi i NATO-s tha se palët “ranë dakord që ratifikimi i shpejtë si për Finlandën ashtu edhe për Suedinë do të ishte në interesin e të gjithëve” dhe “ranë dakord të vazhdojnë bashkëpunimin në këtë format dhe të takohen përsëri përpara samitit të Vilniusit”./Politico.eu