BotaLajme

Dollari, në nivelin më të lartë në 2 dekada – Euro rimëkëmbet lehtë, tregjet presin takimin e Rezervës Federale

Euro është rimëkëmbur lehtë gjatë sesionit të sotëm, përballë dollarit amerikan, ndërsa investitorët janë në pritje të takimit të Rezervës Federale në SHBA, e cila me shumë mundësi do të rrisë sërish normën bazë të interesit. Tashmë, shqetësimi kryesor i investitorëve është rreziku që ekonomia globale të bjerë në recesion.

Investitorët mendojnë se ka 93% shanse që Rezerva Federale të ndërmarrë rritjen më të madhe të normën bazë të interesit, në 3 dekadat e fundit, me 75 pikë bazë. Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan po qëndron mbi 105, niveli më i lartë në 2 dekadat e fundit. Euro po tregtohet mbi nivelin e 1.04 dollarëve, ndërsa paundi britanik ra në nivelin më të ulët në 2 vitet e fundit, prej 1.21 dollarë.

Yield-i i obligacioneve 10-vjeçare amerikane ka vijuar rritjen në rreth 3.37%, një shenjë se investitorët i frikësohen një shtrëngimi të shpejtë të normave të interesit, që mund të sjellin edhe një recesion. Ndërkohë, në tregun e kriptovalutave, tregu është stabilizuar disi në sesionin e sotëm, por megjithatë tendenca është në rënie.

Një ditë më parë, bitcoin humbi 17% të vlerës duke rënë poshtë 23 mijë dollarëve, niveli më i ulët që nga dhjetori i vitit 2020. Ndërsa i gjithë tregu i kriptovalutave humbi mbi 200 miliardë dollarë brenda 24 orëve dhe kapitalizimi i tregut ra poshtë 1 trilionë dollarëve.

Analistët shprehen se faktorët makro po ndikojnë në tregun e kriptomonedhave, si inflacioni gjithmonë në rritje dhe shtrëngimi i politikës monetare nga Rezerva Federale.

Show More

Related Articles

Back to top button