Vendin e pret një verë e thatë dhe me temperatura të larta dhe kjo do të thotë më shumë rrezik nga zjarret. Institucionet apelojnë që qytetarët të vetëdijesohen më shumë për dëmet që shkaktojnë zjarret dhe të tregojnë kujdes maksimal kur janë në natyrë. Por sa të përgatitura janë vet institucionet për të parandaluar zjarre të furishme? Kreu i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Bekim Maksuti, tha se avioni i fundit i servisuar është kthyer në vend një javë më parë dhe se tani janë në dispozicion të tre avionët. Megjithatë për avionët nevojiten pilot. Kjo sfidë ende nuk është tejkaluar.
“Avioni i tretë u kthye javën e kaluar dhe është gati. Sfidë për institucionet por edhe Qeverinë mbetet problemi me mungesën e pilotëve për avionët, sepse për çdo avionë duhen të paktën 3 pilotë. Do t’i drejtohemi Ministrisë së Financave dhe Qeverisë që të na miratojnë mjete shtesë për të tërhequr njerëz. Për të drejtuar këto lloj avionësh nevojitet trajnim shtesë që është shumë i shtrenjtë dhe shumë rigoroz dhe që shumë shpesh përfundojnë pa sukses. Është shumë e vështirë që të gjendet kuadër për këtë lloj pune”, deklaroi Bekim Maksuti-drejtor i DMSH.
Avionët e servisuar janë në qiell të hapur, sepse për ta nuk ka hangar.
“Bëjmë përpjekje që të tejkalojmë problemin pas 20 vjetësh me mungesën e hangarit, sepse për momentin avionët ruhen në qiell të hapur”, u shpreh Bekim Maksuti- drejtor i DMSH.
Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim sot pranoi donacion në vlerë prej 20 mijë euro nga ambasada Rumune, pajisje të cilat pritet të lehtësojnë punën e ekipeve në terren. Në gjashtë muajt e parë të vitit 2022, në vend janë regjistruar 69 zjarre pyjore, gjatë të cilave është djegur sipërfaqe prej qindra hektarësh, ndërsa masa e djegur drunore ka qenë 4.621 metër kub. Zjarre më të mëdha ka pasur vetëm në vitin 2012, kur zjarret pyjore dogjën 19.312 hektarë dru të mbjellë dhe bimësi të tjera në vend. /Alsat/