Norma e inflacionit në Argjentinë ka kaluar 100 për qind për herë të parë që nga fundi i hiperinflacionit në fillim të viteve ’90, shkruan BBC.
Inflacioni arriti në 102.5 për qind në shkurt, ka thënë agjencia e statistikave të vendit, që do të thotë se çmimi i shumë mallrave të konsumit është më shumë se dyfishuar që nga viti 2022.
Argjentina ka vite që është në vështirësi ekonomike dhe shumica e popullsisë jeton në varfëri.
Qeveria argjentinase po përpiqet të frenojë rritjen e çmimeve duke kufizuar çmimet e ushqimeve dhe produkteve të tjera.
Por sektorët e ushqimit dhe pijeve panë rritjen më dramatike kohëve të fundit, me çmimet që u rritën me 9.8 për qind në shkurt krahasuar me janarin.
Mediat argjentinase raportojnë se rritja mund të jetë pjesërisht për shkak të rritjes së çmimit të mishit, i cili u rrit me gati 20 për qind në harkun e një muaji. Kushtet e pafavorshme të motit, vala e zgjatur e nxehtit dhe thatësira ndikuan në bagëtinë dhe të korrat, shkruan gazeta lokale e lajmeve Ambito.
Megjithëse simbolika e rritjes së normës së inflacionit në 100 për qind është e habitshme, efektet e rritjes së inflacionit janë ndier prej kohësh në Argjentinë.
Shtatorin e kaluar, protestuesit dolën në rrugë për të kërkuar veprime për ta frenuar rritjen e kostove të jetesës.
Qeveria argjentinase është përpjekur prej kohësh ta frenojë inflacionin, por veprimet e tyre kanë dëmtuar politikën ekonomike të vendit.
Verën e kaluar, tre ministra të Ekonomisë u ndërruan brenda një muaji. Edhe presidenti Alberto Fernandez ka pasur përplasje me zëvendësin e tij për mënyrën se si po trajtohen problemet ekonomike të Argjentinës.
Në dhjetor, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) miratoi 6 miliardë dollarë para shpëtimi për Argjentinën.
Ishte pagesa e fundit për Argjentinën në një program 30-mujor që pritet të arrijë një total prej 44 miliardë dollarësh.
© KOHA