Të paktën një person ka vdekur dhe dy janë plagosur në një zjarr në një ndërtesë të përdorur nga Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë (FSB) në qytetin jugor të Rostov-on-Don, thonë mediat ruse, transmeton Gazeta Metro.
Pamjet dramatike në mediat sociale tregojnë një flakë të madhe, me tym të dukshëm në të gjithë qytetin, raporton BBC.
Sipas guvernatori rajonal të Rostov, zjarri është shkaktuar nga një qark i shkurtër i cili ndezi rezervuarët e karburantit.
Ndërsa, rruga ku ndodhet ndërtesa është rrethuar.
Zjarri ka ndodhur në një ndërtesë që i përkiste seksionit të patrullës kufitare rajonale të FSB’së në një zonë të ndërtuar të qytetit.
Ndryshe, FSB është shërbimi i sigurisë së brendshme të Rusisë dhe është përgjegjës për kundërzbulimin, sigurinë kufitare dhe kundër terrorizmit.
Guvernatori i Rostovit Vassily Golubev tha se zjarri ishte përhapur në 800 m2, duke shkaktuar shembjen e dy mureve.
Agjencia e lajmeve RIA tha duke cituar shërbimet e urgjencës se zona e djegur ishte një ndërtesë dykatëshe e përdorur për garazhe dhe depo.
Rostov-on-Don është kryeqyteti i një rajoni jugor rus që kufizohet me rajonet Donetsk dhe Luhansk të Ukrainës, aktualisht skena e luftimeve intensive mes Rusisë dhe Ukrainës.
Duhet theksuar se ka pasur një sërë sulmesh me zjarrvënie në ndërtesat qeveritare në Rusi, të tilla si zyrat e regjistrimit dhe të rekrutimit, që nga pushtimi i Ukrainës në shkurt 2022./gazetametro.net