Është mbajtur seanca e 16 e Stabilizim dhe Asociimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian (BE). Në delegacionin e Maqedonisë së Veriut ishin edhe zëvendëskryeministri i Qeverisë për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq dhe ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, ndërsa në delegacionin e Bashkimit Evropian ishin eurokomisari për fqinjësi dhe zgjerim, Oliver Varheji, si dhe përfaqësues të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe institucioneve evropiane. Kryeministri Dimitar Kovaçevski porositi se pas sfidave të shumta të rrugës së anëtarësimit në BE, vitin e kaluar Maqedonia e Veriut me guxim politik, përfundimisht bëri një hap historik dhe i filloi negociatat inkuadruese të cilat shënojnë fillimin e një faze të re cilësore në marrëdhëniet me BE-në. “Ne e firmosëm marrëveshjen e parë zyrtare me FRONTEKS-in, në gjuhën maqedonase së bashku me 24-të gjuhët tjera zyrtare në BE, si marrëveshja e parë zyrtare e tillë ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, e cila është vërtetim i qartë për mbrojtjen e përcaktuesve të identitetit”, theksoi Kovaçevski.
Sipas Qeverisë, kjo mbledhje e Këshillit ka dimension historik, sepse pas 22 vitesh nga nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim dhe 17 vite pas marrjes së statusit kandidat, e mbajmë me negociata të filluara për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, si anëtare e NATO-s. “Qeveria që unë drejtoj në periudhën e ardhshme do të bëjë të gjitha përpjekjet maksimale që me kohë të përfundojë fazën e hapjes së negociatave për anëtarësim dhe të mundësojë dinamizimin e negociatave. Me përkushtim të plotë ndaj agjendës reformuese dhe dinamizimit të procesit të negociatave, Qeveria parashtroi një qëllim ambicioz – Maqedonia e Veriut të jetë plotësisht e gatshme t’i ndërmarrë obligimet e anëtarësimit në Bashkimin Evropian deri në fund të vitit 2030, që të mund të bëhet vend anëtar i BE-së deri në fillim të periudhës së ardhshme buxhetore të Bashkimit Evropian”, tha kryeministri Kovaçevski. Ai shtoi se pushtimi brutal rus ndaj Ukrainës ka ndryshuar thellësisht realitetin gjeopolitik dhe vendi ynë iu bashkua menjëherë dhe pa mëdyshje dënimit unanim të Bashkimit Evropian dhe partnerëve ndërkombëtarë për agresionin e pajustifikuar dhe të paprovokuar kundër një vendi sovran dhe sipas mundësive të tij, ofron ndihma humanitare, ushtarake dhe diplomatike.
Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varhelyi në konferencën e djeshme për shtyp përkujtoi dhe njëherë Qeverinë që të përshpejtoj me reformat e nevojshme drejtë rrugës evropiane. “Shteti të mos ngadalësoje por të përshpejtoj në zbatimin e reformave, vërtet kemi nevojë që Qeveria dhe Parlamenti të përshpejtojnë punën me reformat. Sot do të realizojmë takim edhe me përfaqësuesit e popullit dhe besoj se nuk do të ketë asnjë pengesë për përshpejtimin e reformave të nevojshme”, tha Varhelyi.
Ndërkohë përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell deklaroi në Shkup se Bashkimi Evropian do të mbështes dhe do t’i qëndroj afër Republikës së Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj drejtë Bashkimit Evropian. “Mesazhi që doli nga ky takim është i qartë, e ardhmja e Maqedonisë së Veriut dhe qytetarëve të saj është brenda BE-së. Do të sigurojmë 9 milionë euro si mbështetje për forcat e armatosura të ARM-së. BE-ja do të qëndroj me ju, do t’ju mbështes edhe në këto kohë të vështira, do t’i ndihmojmë qeverisë që të siguroj subvencione për faturat e rrymës së qytetarëve. Po bëjmë përpjekje që të sigurojmë një të ardhme të përbashkët”, tha Borell. Ndryshe, Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim (MSA) e cila hyri në fuqi më 1 prill të vitit 2004, e paraqet kornizën për zbatimin e marrëdhënieve të dakorduara, deri në pranimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. (koha.mk)