Pikërisht në ditën kur kryeministri japonez, Fumio Kishida po viziton Ukrainë, dy avionë bombardues strategjikë rusë fluturuan për më shumë se 7 orë mbi detin e Japonisë.
Avionët e llojit Tupolev Tu-95MS janë të aftë të bartin armë bërthamore dhe Moska vazhdimisht i përdor ata për të kryer fluturime në ujërat ndërkombëtare në Arktik, në Atlantikun e Veriut dhe në Paqësor me qëllimin të demonstrojë forcën e saj.
Këtë radhë megjithatë, koha e zgjedhur për t’i nisur bombarduesit pranë Japonisë u pa qartë si mesazh për Kishidën, që ndaloi në Kiev për t’i ofruar mbështetje dhe për të shprehur solidaritet me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, shteti i të cilit po përballet me pushtimin rus.
Moska sqaroi shkurt se avionët kryen “fluturime të planifikuara”.
Ministria ruse e mbrojtjes theksoi se bombarduesit nuk shkelën ligjet ndërkombëtare dhe fluturuan mbi ujërat neutral. Muajin e kaluar, forcat e mbrojtjes ajrore të Amerikës së Veriut u dërguan për të penguar disa bombardues strategjikë rusë dhe avionët luftarakë, të cilët po fluturonin mbi hapësirën ajrore pranë Alaskës.
Japonia, që ka mosmarrëveshje territoriale me Moskën lidhur me disa ishuj në veri të Paqësorit, është aleate kyçe në Azi e Shteteve të Bashkuara dhe është anëtare e Grupit të Shtatë demokracive të pasura, e i është bashkuar sanksioneve perëndimore të vendosura ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës.