BotaLajme

Erdogan do të bisedojë me homologun e tij rus për marrëveshjen e drithërave

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se në ditët në vijim do të zhvillojë një telefonatë me homologun e tij rus Vladimir Putin për të diskutuar iniciativën e drithërave në Detin e Zi, transmeton Anadolu.

“Ne do të kemi një telefonatë me Putinin pas dy-tre ditësh”, tha Erdogan në një intervistë të transmetuar drejtpërdrejt në kanalet turke NTV dhe Star TV.

Ai tha se bota vlerëson përpjekjet ndërmjetësuese të Turqisë midis Rusisë dhe Ukrainës.

“Ne jemi tashmë të njohur në botë. Suksesi i Türkiye-s përmendet nga të gjithë në botë”, shtoi ai.

Korrikun e kaluar, Turqia, OKB, Rusia dhe Ukraina nënshkruan një marrëveshje në Istanbul për të rifilluar eksportet e grurit nga tre porte ukrainase të Detit të Zi, të cilat u bllokuan pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë në shkurt 2022.

Presidenti i Turqisë kujtoi gjithashtu ofertën e Putinit për dërgimin e grurit në vendet e varfra pa pagesë.

Ai shtoi se Turqia është duke u përgatitur për blerjen e grurit për ta kthyer atë në miell dhe për ta dërguar në vendet e varfra.

“(Së bashku me Putinin) do të ndërmarrim hapat tanë edhe në këtë fushë”, tha Erdogan.

Duke folur rreth tërmeteve të fuqishme të muajit të kaluar që goditën rajonin jugor të vendit, presidenti i Turqisë tha se po bëjnë përpjekje për të “shëruar plagët” e viktimave.

Erdogan u zotua të rindërtojë rajonet e goditura nga tërmeti, duke thënë: “Siç premtuam, ne do të fillojmë të hedhim themelet nesër. Shpresoj se do të jemi në gjendje t’i përfundojmë shtëpitë e përhershme brenda një viti”.

Presidenti tha se 302 të dyshuar u arrestuan si pjesë e një hetimi të kryer pas tërmeteve.

“Ne do të ndjekim hetimet nga afër. Ata që nuk përmbushin përgjegjësitë e tyre do të mbajnë përgjegjësi. Nuk ka shpëtim”, shtoi ai.

Show More

Related Articles

Back to top button