Kundërshtarët e reformës së diskutueshme të pensioneve në Francë kanë mbyllur hyrjen e Aeroportit “Charles De Gaulle” (CDG) të Parisit, transmeton Anadolu.
Sipas lajmeve në shtypin francez, greva dhe protesta masive e 9-të po mbahet kundër reformës së diskutueshme që përfshin zgjatjen me 2 vjet të moshës së pensionit në vend.
Protestuesit që dolën në rrugë për të protestuar kundër reformës në Paris bllokuan hyrjen e Aeroportit “Charles De Gaulle” në Roissy.
Poashtu edhe studentët në Paris, Lion, Saint-Etienne, Roubaix dhe Nanterre protestuan në shumë universitete.
Ndërsa 50 për qind e mësuesve në vend morën pjesë në greva, studentët në më shumë se 40 shkolla të mesme në Paris dhe rrethinat e tij filluan të protestojnë.
Në shumë qytete, duke përfshirë Lille dhe Saint-Nazaire, demonstruesit ngritën barrikada në autostrada dhe ura, duke ndërprerë trafikun.
Përveç kësaj, muzetë në Paris u mbyllën për vizitorët si pjesë e grevës.
Nga ana tjetër, Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil (DGAC) kërkoi që 30 për qind e fluturimeve në Aeroportin Orly në Paris të anulohen për nesër dhe pasnesër.
Kërkesa të ngjashme për aeroportet e tjera pritet të bëhen gjatë ditës.
– Kriza e reformës së pensioneve
Reforma e pensioneve, e cila është ndër premtimet më të rëndësishme zgjedhore të presidentit francez, Emmanuel Macron, parashikon rritjen e moshës së pensionit nga 62 në 64.
Francezët kanë organizuar greva masive dhe demonstrata që nga janari kundër reformës, për të cilën nuk është rënë dakord në Asamblenë Kombëtare.
Nga ana tjetër, qeveria zgjodhi ta pranojë direkt projektligjin e reformës në përputhje me paragrafin 3 të nenit 49, pa e hedhur në votim në parlament, pasi nuk mori mbështetjen e mjaftueshme në parlament.
Pas vendimit të marrë më 16 mars, në Francë nisën protestat. Rreth 900 demonstrues u arrestuan gjatë protestave, ku policia ndërhyri ashpër.
Pamjet në të cilat disa gazetarë dhe vëzhgues janë rrahur nga policia gjatë demonstratave kanë shkaktuar reagime.
Partitë opozitare aplikuan në Këshillin Kushtetues për anulimin e reformës, e cila u pranua pa votim në parlament.