Numri i të vdekurve pas sulmeve ajrore të SHBA-së ndaj pozicioneve të luftëtarëve pro-iranianë të lidhur me Gardën Revolucionare të Iranit në Sirinë lindore ka shkuar në 19 persona.
SHBA-ja ka kryer sulme në Siri duke iu përgjigjur një sulmi me dron, i cili la të vdekur një punëtor amerikan dhe një tjetër u plagos. Uashingtoni tha se sulmi ishte me origjinë iraniane.
Sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut me qendër në Mbretërinë e Bashkuar, sulmet ajrore amerikane vranë tre ushtarë sirianë, 11 luftëtarë sirianë të fraksionit pro-qeveritar dhe pesë luftëtarë jo-sirianë të lidhur me qeverinë, raporton reuters.
Shefi i misionit monitorues në Siri, Rami Abdel Rahman, nuk mundi të specifikojë kombësinë e viktimave të sulmeve ajrore amerikane.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden paralajmëroi Iranin të premten se do të “hakmerren” për të mbrojtur qytetarët e saj.
Irani ka qenë një aleat kyç i presidentit sirian, Bashar al-Assad gjatë konfliktit 12-vjeçar të Sirisë.
Fraksionet pro-iraniane, duke përfshirë organizatën libaneze Hezbollah dhe grupe nga Iraku kontrollojnë pjesë të Sirisë lindore, jugore dhe veriore dhe periferinë e kryeqytetit.
Prania në rritje e Teheranit në Siri shkakton rregullisht sulme ajrore izraelite, ndërsa më të rralla janë të amerikanëve. /Telegrafi/