LajmeRajon

Krimet serbe në Kosovë, Kurti thirrje prokurorëve: Punoni ditë e natë në ndjekje të kriminelëve

“Masakra ndaj familjes Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu është dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë”, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në përvjetorin e 24-të të masakrës në Podujevë.

Kurti teksa bëri homazhe te varrezat e 16 anëtarëve të vrarë të familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu, në Podujevë, në masakrën e kryer nga njësiti serb “Shkorpionët”, tha se ky krim dhe kjo masakër kërkon drejtësi.

Ky krim, kjo masakër kërkon drejtësi. Si institucione të shtetit, si qytetarë të Republikës, si shqiptarë, që e duam vendin tonë, kurrë nuk do ta harrojmë borxhin, që e kemi ndaj familjeve, që dhanë gjithçka, por njëkohësisht edhe obligimin për të kërkuar drejtësi, sepse ata nuk u vranë, meqenëse e kishin mbiemrin a emrin e caktuar apo se ishin prej këtij apo atij vendi, por për shkak se ishin shqiptarë, që dëshironin të jetonin në tokën e tyre, në vendin e tyre, të lirë e në paqe, theksoi Kryeministri.

Kryeministri Kurti i bëri thirrje Prokurorisë në Kosovë, në veçanti prokurorëve në Prokurorinë Speciale, që të punojnë ditë e natë, për shkak se detyra e tyre dhe përgjegjësia jonë e përgjithshme është ndjekja e kriminelëve dhe vënia e drejtësisë.

I pranishëm ishte edhe Enver Duriqi, të cilit në këtë masakër ia kanë vrarë 4 fëmijë të moshave 3, 5, 8 edhe 10 vjeç, bashkë me gruan dhe prindërit. Në homazhe ishin edhe fëmijët e tij të lindur pas lufte, të cilët mbajnë emrat e fëmijëve të vrarë para 24 vjetëve.

Show More

Related Articles

Back to top button