BotaLajme

Dy veteranë amerikanë zhduken në lindje të Ukrainës

Dy veteranë amerikanë, të cilët kanë qenë duke iu ndihmuar forcave të armatosura ukrainase në luftën kundër Rusisë, është raportuar të jenë zhdukur në rajonin lindor ukrainas të Harkivit, dhe besohet se janë zënë nga trupat ushtarake ruse.

Familjarët e Andy Huynh, 27-vjeçar dhe Alexander Drueke, 39-vjeçar, të dy nga Allabama, kanë thënë se 15 qershori ka qenë dita e fundit kur kanë kontaktuar me ta.

Familjarët dhe një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, kanë thënë se ende nuk është konfirmuar dyshimi nëse dy burrat janë në duart e forcave ruse.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ka thënë më 16 qershor se Uashingtoni nuk e ka kontaktuar Moskën sa u përket dy shtetasve amerikanë.

Nëse Huynh dhe Drueke janë zënë, ata do të bëhen dy rastet e para të konfirmuara të shtetasve amerikanë që janë zënë nga forcat ruse, prej nisjes së pushtimit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë më 24 shkurt.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për Siguri Kombëtare, John Kirby, ka thënë se nëse raportimet konfirmohen, Uashingtoni do të bëjë “gjithçka që mundet për të kthyer dy burrat”.

Javën e kaluar, dy britanikë, Aiden Aslin dhe Shaun Pinner, si dhe një shtetas maroken, Saaudun Brahim, janë dënuar me vdekje nga separatistët e mbështetur nga Rusia në lindje të Ukrainës, për shkak të “aktiviteteve mercenare”.

Të tre kanë qenë duke shërbyer për ushtrinë ukrainase, kur janë zënë nga separatistët pro-rusë.

Britania e Madhe, Kombet e Bashkuara, Ukraina dhe Gjermania, kanë dënuar këto vendime.

Familja e Aslinit, ka thënë se ai dhe Pinner, kanë qenë duke jetuar në Ukrainë kur ka shpërthyer lufta në muajin shkurt dhe “si anëtarë të forcave të armatosura ukrainase, ata duhet të trajtohen me respekt, sikurse të burgosurit e luftës”.

Babai i Saaudun Brahim, ka thënë më 13 qershor se djali i tij ka pasur po ashtu shtetësi ukrainase, andaj duhet të trajtohet siç e meriton.

Show More

Related Articles

Back to top button