LajmeMaqedoni

Lloga- Mejer: SHBA-ja është miku ynë i madh dhe partner strategjik në të gjitha proceset demokratike

Ndryshimet kushtetuese, vetingu, Kodi zgjedhor, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, gjendja në burgjet dhe përparimi i bashkëpunimit në pjesën e reformave në gjyqësor kanë qenë disa nga temat për të cilat biseduan sot ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga dhe zëvendësshefi i Misionit të ambasadës së SHBA-së në Shkup, Erik Mejer.

“Lloga e informoi Mejerin se pret që të gjitha partitë parlamentare, duke përfshirë edhe VMRO-DPMNE-në, më së voni deri më 10 prill të propozojnë nga një anëtar të tyre për në grupin punues i cili do të përgatisë ndryshimet kushtetuese. Pritet që grupi punues zyrtarisht të formohet deri nga mesi i këtij muaji”, theksohet në kumtesën e Ministrisë së Drejtësisë.

Lidhur me vetingun, ministri Lloga, përsëriti se ky proces do të mund të realizohet vetëm me një përkrahje të qartë nga SHBA dhe BE.

“Zëvendësshefi i Misionit të ambasadës së SHBA-së, Erik Mejer u informua edhe për ligjet të cilat janë në procedurë parlamentare, zgjidhja e re ligjore për Akademinë për gjyqtarë dhe prokurorë publikë me të cilin ligj propozohet riorganizim i provimit pranues me qëllim të përgatitjes më të mirë të kandidatëve për pjesëmarrje të suksesshme në trajnime, ridefinimi i  mënyrës së dhënies së provimit përfundimtar duke u bazuar në qëndrime dhe kriteriume objektive për vlerësimin e diturive të kandidatëve. U diskutua edhe për rastet politike të montuara dhe ndodhitë e fundit në INP Idrizovë dhe burgjet tjera në shtet”, informojnë në Ministrinë e Drejtësisë. 

Ministri Lloga, theksoi se SHBA-ja është mik i madh dhe partner strategjik i Republikës së Maqedonisë së Veriut në të gjitha proceset demokratike. Ndryshe në takim, siç thonë prej atje, është dakorduar që bashkëpunimi të intensifikohet në periudhën në vijim. 

Show More

Related Articles

Back to top button