Në vigjilje të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Romëve, fëmijët rom nga çerdhet e Gostivarit, kanë realizuar aktivitete edukative nga sfera e artit figurativ, duke vizatuar e mësuar për flamurin e tyre kombëtar. Të shoqëruar nga edukatoret, prindërit, drejtuesit e çerdheve dhe përfaqësues të pushtetit lokal, më të vegjëlit e këtij komuniteti ngjyrosën flamurin e tyre tre ngjyrësh, në mes të së cilës qëndron një rrotë e kuqe e cila simbolizon rrugëtimin dhe migrimin e romëve, ngjyra e kaltër paraqet qiellin dhe e gjelbërta tokën. Flamuri i tyre është aprovuar në Kongresin e parë Botëror të Romëve, të mbajtur në 1971. Munever Skenderi, edukatore në çerdhet e Gostivarit, tha se qëllimi i organizimit të sotëm është njohja e fëmijëve me kulturën dhe traditën e tyre rome.
“Jemi sot këtu në sheshin e qytetit me mesazh të bukur pasi jemi duke shënuar 8 Prillin – Ditën Ndërkombëtare të Romëve. Këtu jemi ne përfaqësuesit e çerdhes ‘Gëzimi Fëmijëror’. Qëllimi ynë me organizimin e këtij aktiviteti është që ti njoftojmë fëmijët e vegjël se kush janë romët, se ata kanë histori, kanë traditë, kulturë, muzikë të bukur dhe të gjithë këto u mundësojnë të kenë jetë të dinjitetshme dhe të bukur. Poashtu mesazhin që sot përcjellim te fëmijët është që ata të dijnë të drejtat e tyre të cilat të drejtat duhet ti kultivojnë dhe kur të rriten të kontribuojnë për shoqërinë”, tha Munever Skenderi, edukatore.
Projekti për përfshirje të romëve në procesin e arsimit parashkollor, ka bërë që sot numri i fëmijëve rom që shkojnë në çerdhe në Gostivar të arrijë në 15. Projekti tani ka përfunduar thonë Skenderi, por prindërit vazhdojnë ti dërgojnë fëmijët në çerdhe dhe të paguajnë vetë për qendrimin e tyre në çerdhe.
“Projekti në çerdhe është nga viti 2006, por me kalimin e kohës inetersimi i prindërve nga bashkësia rome, rritet. Tani nuk na duhet projekt që të hyjmë në çerdhe, por kemi prindër të cilët me mjete vetanake paguajnë qendrimin e fëmijëve të tyre në çerdhe. Për momentin numri lëviz rreth 15 fëmijë, prej të cilëve me sigur gjysma janë që paguajnë vetë për qendrim në çerdhe. Kjo tregon se projekti ka dhënë përfitimet e veta dhe rritet ndërgjegja e bashkësisë rome se shkollimi është gjithçka”, Munever Skenderi, edukatore.
8 prilli, Dita Ndërkombëtare e Romëve, ka rëndësi për komunitetin rom, pasi synon të ndërgjegjësojë shoqërinë mbi sfidat që kalon komuniteti Rom në mbarë botën. Ndryshe, me Kushtetutën e vitit 2001, romët në Republikën e Maqedonisë njihen si popull. Ata janë popull indo-evropian me shtetin e tyre amë Indinë, kurse në Maqedoninë e Veriut mendohet të kenë ardhur për herë të parë në shekullin e 14-të.