Koreja e Veriut lëshoi një raketë balistike drejt detit mes Gadishullit Korean dhe Japonisë, duke bërë që Japonia të urdhërojë banorët e ishullit Hokaido, të futen në vendstrehime për t’u mbrojtur.
Shtabi i përgjithshëm i Koresë së Jugut tha se raketa e Koresë së Veriut lëvizi drejt ujërave midis Gadishullit Korean dhe Japonisë, por nuk dha detaje të mëtejshme. Provat me raketa të Koresë së Veriut kanë shtuar gjithashtu urgjencën për Seulin dhe Tokion që të forcojnë gatishmërinë e tyre ushtarake.
Ekspertët thonë se diskutimet mes udhëheqësve botërorë në takimet e muajit të ardhshëm të Grupit të Shtatëshes në Japoni mund të jenë gjithashtu vendimtare për ruajtjen e presionit diplomatik ndaj Koresë së Veriut pasi Këshilli i Sigurimit i OKB-së është bërë jofunksional, për shkak të përplasjeve mes anëtarëve të përhershëm.
Pekini dhe Moska vitin e kaluar bllokuan një përpjekje të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara për të forcuar sanksionet e Këshillit të Sigurimit ndaj Koresë së Veriut për disa nga testet e saj më të mëdha me raketa, duke nxjerrë kështu më në pah një ndasi të thelluar nga lufta e Rusisë në Ukrainë.