BotaLajme

Përleshje mes ushtrisë dhe forcës paramilitare në Kartum

Të shtëna me armë zjarri dhe shpërthime tjera, janë dëgjuar në kryeqytetin e Sudanit, Kartum, pas disa ditësh tensione në mes të forcës paramilitare dhe ushtrisë së shtetit.

Arsyeja e konfliktit qëndron te tranzicioni i propozuar në udhëheqësi civile.

Agjencia e lajmeve, Reuters, është duke raportuar se të shtënat janë dëgjuar afër selisë së ushtrisë, në qendër të qytetit.

Forca paramilitare e Mbështetjes së Shpejtë, ka thënë se e ka marrë kontrollin e aeroportit dhe pallatit presidencial.

Këto pretendime nuk janë konfirmuar ende.

Më herët, forca paramilitare ka thënë se është sulmuar një prej kampeve të saj në jug të Kartumit.

Ushtria, në anën tjetër, e ka akuzuar forcën paramilitare se ka tentuar të bastisë selinë e ushtrisë.

Sudanin e kanë udhëhequr gjeneralët ushtarakë, përmes atij që njihet Këshilli Sovran, prej puçit të tetorit të vitit 2021.

Forca paramilitare është nën komandën e zëvendës-presidentit të Këshillit, Gjeneralit Mohamed Hamdan Dagalo.

Ndërsa ushtria udhëhiqet nga Gjenerali Abdel Fattah al-Burhan, i cili është udhëheqës i Këshillit Sovran.

Propozimi për tranzicion në Qeveri të udhëhequr nga zyrtarët civilë, ka në qendër integrimin e forcës paramilitare në ushtrinë kombëtare.

Kjo forcë ka dashur të shtyjë diçka të tillë për 10 vjet, mirëpo ushtria ka thënë se duhet të ndodh brenda dy vjetëve.

Fuqitë perëndimore dhe liderët rajonalë kanë bërë thirrje që të dyja palët të ulin tensionet dhe të ulen para tavolinës së negociatave.

Puçi i vitit 2021 i ka dhënë fund një periudhe, më shumë se dyvjeçare, kur ushtria dhe liderët civilë e kanë ndarë pushtetin.

Ajo marrëveshje ishte arritur pas përmbysjes së udhëheqësisë së liderit autoritar të Sudanit, Omar al-Bashir.

Prej përfundimit të puçit, në rrugët e Kartumit ka pasur vazhdimisht protesta pro-demokracisë.

Show More

Related Articles

Back to top button