Kombet e Bashkuara janë të gatshme të marrin vendimin “zemërthyes” për t’u larguar nga Afganistani në muajin maj, nëse nuk mund të bindin talibanët që të lejojnë gratë të punojnë për organizatën, ka thënë udhëheqësi i Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, Achim Steiner.
Zyrtarët e OKB-së janë duke negociuar me talibanët që të shfuqizojnë një dekret që ua ndalon grave lokale punën në organizatë, ka thënë Steiner për agjencinë e lajmeve, Associated Press.
“Mund të them se në pikën që jemi tani, i gjithë sistemi i OKB-së duhet të bëjë kthim mbrapa në rievaluim të operacioneve”, ka thënë Steiner.
“Por, ne nuk mund të negociojmë parimet themelore, të drejtat e njeriut”.
Stenier ka thënë se talibanët i kanë lejuar gratë të angazhohen në disa sektorë, mirëpo Afganistanit i duhen më shumë punëtore gra, meqë edhe situata ekonomike sa shkon e përkeqësohet.
Talibanët janë kthyer në pushtet, pas rrëzimit të Qeverisë afgane, në gusht të vitit 2021.
Në atë periudhë, nga Afganistani janë tërhequr edhe forcat e NATO-s, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.
Prej atëherë, talibanët kanë zbatuar ligje dhe rregullore strikte, përfshirë vënien e ndalesës për shkollimin e vajzave, pas shkollës fillore.
Ata që kanë guxuar të kritikojnë këto vendime, janë arrestuar nën pretekste të ndryshme.