Japonia ka urdhëruar ushtrinë e saj të përgatitet që të rrëzojë raketa balistike të Koresë së Veriut, pasi Phenjani tha gjatë kësaj jave se është gati të lëshojë satelitin e parë të tij ushtarak të spiunazhit.
Vendosja e satelitit në orbitë do të kërkonte një predhë me rreze të gjatë, që Koresë së Veriut i ndalohet të lëshojë sepse Kombet e Bashkuara i shohin lëshime të tilla si teste të raketave balistike.
Më 22 prill, kryeministri japonez, Yasukazu Hamada, u tha Forcave për Vetëmbrojtje se “ka një mundësi për urdhërimin e masave shkatërruese ndaj raketave balistike”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.
Hamada udhëzoi ushtarët që “të zbatojnë masat e nevojshme për të kufizuar dëmet në rast se ndonjë raketë balistike do të bjerë”.
Ai urdhëroi përgatitjet për dislokimin e sistemeve SM-3, që janë për pengimin e raketave, por edhe të njësive ushtarake në Okinava, që mund të operojnë raketat Patriot PAC-3.
Më 2012 dhe 2016, Koreja e Veriut kishte testuar raketa balistike që sipas Phenjanit ishin lëshime të satelitëve.
Që të dy raketat kishin fluturuar mbi rajonin e Okinavës.
Mediat japoneze raportuan se edhe më 2012, Ministria e Mbrojtjes kishte bërë përgatitje të ngjashme.
Koreja e Veriut nuk ka treguar se kur synon të lëshojë këto raketa.
Ministrat e Jashtëm të Grupit të Shtatë shteteve më të industrializuara (G7) u takuan gjatë kësaj jave dhe kërkuan nga Koreja e Veriut që të përmbahet nga lëshimet e mëtejme të raketave balistike, pasi gjatë këtij viti Phenjani ka intensifikuar testimet e raketave./REL