BotaLajme

Raportohet se Turqia ka arrestuar mbi 100 persona “të lidhur me militantët kurdë”

Policia turke ka arrestuar 110 persona që dyshohet se kanë lidhje me militantët, sipas burimeve të sigurisë, raporton Reuters. Në mesin e të arrestuarve, sipas një ligjvënësi pro-kurd, janë edhe politikanë, avokatë dhe gazetarë, që janë arrestuar në lidhje me zgjedhjet e 14 majit.

Siç raportohet, operacioni i bastisjeve është përqendruar në Dijarbakir, qytetit më të madh të banuar me shumicë kurse në juglindje të Turqisë. Operacionet policore janë zhvilluar edhe në 21 provinca tjera, duke shënjestuar persona që akuzohen se kanë lidhje me grupin militant të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit.

Ky operacion vjen më pak se tre javë para zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, që paraqesin sfidën më të madhe zgjedhore për presidentin Recep Tayyip Erdogan, që kur subjekti i tij, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim, erdhi në pushtet më 2002.

“Në prag të zgjedhjeve, nga frika se do të humbin pushtetin, ata kanë nisur sërish operacionet e arrestimeve”, shkroi në Twitter, Tayip Temel, ligjvënës nga Partia Popullore Demokratike.

Ai tha se politikanë, përfshirë edhe anëtarë të partisë së tij, gazetarë, artistë dhe avokatë janë në mesin e personave që u arrestuan në Dijabakir mëngjesin e së martës.

Erdogan shpesh ka akuzuar Partinë Popullore Demokratike se ka lidhje me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit. Por, ky subjekt politik ka hedhur poshtë këto akuza.

Partia Popullore Demokratike muajin e kaluar nuk garoi me ndonjë kandidat për zgjedhjet presidenciale të 14 majit, por ofroi mbështetje për rivalin kryesor të Erdoganit, Kemal Kilicdaroglu.

Show More

Related Articles

Back to top button