BotaLajme

Joe Biden njoftoi sot zyrtarisht rikandidimin e tij për president të SHBA-ve

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, njoftoi se do të garojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024. Ai këtë njoftim e bëri përmes një videoje promovuese.

Në videon prej tre minutash, Biden, presidenti i 46-të i SHBA-së, tha se të drejtat e abortit, mbrojtja e demokracisë, të drejtat e votimit dhe siguria sociale do të jenë çështjet më kryesore gjatë garës presidenciale të vitit 2024. Ai tha se votuesit do të përballen me zgjedhjen mes asaj nëse gjenerata e re do të ketë “më shumë apo më pak liri” dhe “më shumë apo më pak të drejta”. Për dallim nga slogani i fushatës zgjedhore të vitit 2020, kur Biden tha se amerikanët ishin “në betejë për shpirtin” e kombit, slogani për zgjedhjet e vitit 2024 thotë: “Le ta çojmë punën deri në fund”.

“Çdo gjeneratë e amerikanëve është përballur me një moment kur janë dashur të mbrojnë demokracinë, të ngrihen për të drejtat e tyre personale, të ngrihen për të drejtat e votimit dhe të drejtat civile. Ky është momenti ynë. Liria, liria personale është thelbësore për ne amerikanët. Nuk ka asgjë më të rëndësishme, asgjë më të shenjtë”, deklaroi Xho Bajden, President i SHBA-ve.

Përveç Bidenit, në Partinë Demokratike deri më tani kandidaturën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 e kanë shpallur edhe dy të tjerë. Marianne Williamson, shkrimtare dhe Robert F. Kennedy Jr. – nipi i ish-presidentit amerikan, John F.Kennedy. Në Partinë Republikane, përveç Trumpit, kandidaturën e kanë shpallur edhe tre politikanë të tjerë. Nikki Haley, ish-guvernatore e Karolinës së Jugut dhe ambasadore e SHBA-së në OKB gjatë presidencës Trump, multimilioneri Vivek Ramaswamy dhe ish-guvernatori i Arknsasit, Asa Hutchinson. Në Partinë Republikane pritet që garës për president t’i bashkohen edhe ish-nënpresidenti amerikan, Mike Pence, guvernatori i Floridës, Ron DeSantis, dhe senatori, Tim Scott. /Alsat.mk

Show More

Related Articles

Back to top button