Agjencia Meteorologjike e Organizatës së Kombeve të Bashkuara ka paralajmëruar për rritjen e gjasave për zhvillimin e fenomenit të motit, El Nino, në muajt e ardhshëm, duke nxitur temperatura më të larta globale dhe mbase edhe rekorde të reja nxehtësie.
Organizata Botërore Meteorologjike vlerëson që gjasat për zhvillimin e El Nino-s para fundit të korrikut qëndrojnë në 60 për qind, ndërsa mes korrikut dhe shtatorit, rriten në 70 deri në 80 për qind.
“Muajt e ardhshëm, nga maji deri në korrik, kemi 60 për qind mundësi të hyjmë në fazën El Nino. Gjasat do të rriten me 70 për qind nëse shohim periudhën nga korriku në gusht, e madje edhe 80 për qind pas gushtit. Natyrisht nuk mund të themi më shume se çdo të ndodhë më vonë”, tha Wilfran Moufouma Okia, nga Organizata Botërore Meteorologjike.
Duke folur për gazetarët në gjeneve, kreu I shërbimit rajonal të parashikimit të klimës në Organizatën Botërore Meteorologjike tha se ende nuk dihet se sa e lartë do të jetë rritja e temperaturave për shkak të El Nino-s, e as sa do të jetë fuqia dhe kohëzgjatja e tij.
El Nino, një fenomen që ndodh natyrshëm dhe që shoqërohet zakonisht me rritje të nxehtësisë në mbarë botën, por edhe me thatësirë në disa zona e shira të rrëmbyeshëm në të tjera, për herë të fundit ka ndodhur më 2018-19. Viti më i nxehtë i regjistruar deri më tani ka qenë ai 2016, ku pati një El Nino të fortë, edhe pse ndryshimet klimatike kanë nxitur temperatura ekstreme edhe pa këtë fenomen.