Një video e postuar në llogarinë e deputetit ukrainas të parlamentit Oleksandr Marikovski në Facebook, tregon momentin e përplasjes së ashpër fizike mes tij dhe një zyrtari rus gjatë Asamblesë Parlamentare të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi, që zhvillon punimet në Ankara të Turqisë.
Incidenti ndodhi pasi sekretari i delegacionit rus, Valery Stavitsky, grisi flamurin ukrainas të shpalosur nga Marikovski prapa krahëve të delegates ruse Olga Timofeeva teksa po intervistohej.
Ligjvënësi ukrainas e ndoqi nga pas e ia shkuli flamurin nga duart zyrtarit rus, të cilin nisi ta godiste me forcë. “Larg duart nga flamuri ynë, larg duart nga Ukraina fëlliqësira ruse”, ka shkruar ai më pas në krah të videos, të cilen vetë e hodhi në Facebook. Sipas agjencisë se lajmeve TASS Stavitsky-t u desh të merrte ndihmë nga konsulli dhe nga një mjek.
Samiti në Turqi është pjesë e përpjekjeve për gjetjen e një zgjidhjeje mbi mosmarrëveshjet e vazhdueshme për ngarkesat e grurit në mesin e bllokadës që Moska i ka bërë porteve ukrainase në Detin e Zi, duke penguar eksportet ë rëndësishme të drithit të Ukrainës që nisjes së pushtimit rus.
Një marrëveshje u arrit vitin e kaluar, por Rusia ka një listë kërkesash qe pretendon t`i plotësohen në mënyrë që të vazhdojë paktin i cili sipas OKB-së po ndihmon të mbahet nën fre kriza globale e ushqimit, e rënduar ndjeshëm nga konflikti në Ukrainë.