BotaLajme

Irani ekzekuton një burrë suedezo-iranian, nën akuzat për terrorizëm

Irani e ka ekzekutuar një burrë suedezo-iranian, të akuzuar se ka qenë mbrapa një sulmi vdekjeprurës në një paradë ushtarake, më 2018.

Habib Chaab ka qenë themelues i një grupi separatist, që ka bërë thirrje për pavarësi të arabëve etnikë në provincën Kuzestan, e cila gjendet në jugperëndim të Iranit.

Ai ka jetuar në ekzil në Suedi për një dekadë, mirëpo është zënë nga agjentët iranianë në Turqi, më 2020.

Ministri i Jashtëm suedez, Tobias Billstrom, ka thënë se autoritetet shtetërore i kanë kërkuar Iranit që të mos ekzekutojë Chaabin.

“Dënimi me vdekje është jonjerëzor dhe ndëshkim i pakthyeshëm, prandaj Suedia, bashkë me vendet tjera të Bashkimit Evropian, e dënon këtë lloj të gjobës, pavarësisht rrethanave”, ka thënë ai.

Autoritetet e drejtësisë në Iran, e kanë akuzuar Chaabin se e ka udhëhequr grupin, Harakat al-Nida – lëvizjen për çlirim të Ahvazit – i cili, sipas Iranit, qëndron mbrapa sulmeve në jugperëndim të shtetit.

Në këtë provincë të pasur me shumë naftë banon një komunitet i madh i arabëve, të cilët shpesh janë ankuar për margjinalizim dhe diskriminim.

Teherani, në anën tjetër, i hedh poshtë këto akuza.

Në sulmin e vitit 2018, në paradën ushtarake në qytetin e Ahvazit, disa persona të armatosur kanë nisur sulme me armë zjarri ndaj trupave të Gardës Revolucionare Islamike, duke lënë të vdekur 25 persona, përfshirë ushtarë dhe civilë që e kanë shikuar paradën.

Chaab besohet se është nxitur që të shkojë në Stamboll për ta takuar një grua, dhe aty më pas është kidnapuar dhe dërguar në Iran.

Organizata ndërkombëtare për të drejta të njeriut, Amnesty International, ka thënë se gjyqi ndaj tij ka qenë “plotësisht i padrejtë” dhe se ai është torturuar.

Sipas kësaj organizate, Irani ekzekuton më shumë njerëz, sesa secili vend tjetër në botë, përveç Kinës.

Show More

Related Articles

Back to top button