BotaLajme

Presidenti ukrainas pret shtimin e sulmeve ruse para takimit të BE-së këtë javë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, tha se “duhet të presim më shumë veprime armiqësore nga Rusia” këtë javë, ndërsa udhëheqësit e Bashkimit Evropian shqyrtojnë statusin e Ukrainës si vend kandidat për anëtarësim në këtë bllok.

“Dhe jo vetëm kundër Ukrainës, por edhe kundër vendeve të tjera evropiane. Ne po përgatitemi. Ne jemi gati. Ne po paralajmërojmë partnerët”, tha presidenti Zelenskyy në fjalimin e tij natën e së dielës.

Komisioni Evropian rekomandoi javën e kaluar që Ukraina të marrë statusin e kandidatit. Të 27 vendet anëtare do të diskutojnë këtë çështje dhe do të japin votat e tyre gjatë një takimi të nivelit të lartë të enjten dhe të premten. Nëse Ukraina përparon drejt statusit të vendit kandidat, procesi për anëtarësimin e plotë në BE mund të zgjasë disa vite.

Presidenti Zelenskyy tha se “luftime të ashpra po vazhdojnë në Donbas”, rajonin lindor të Ukrainës që është në qendër të përpjekjeve ruse muajve të fundit.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, paralajmëroi të dielën se lufta e Rusisë në Ukrainë mund të zgjasë dhe aleatët perëndimorë nuk duhet të shkurtojnë mbështetjen për forcat e Kievit.

“Ne duhet të përgatitemi që lufta të zgjasë me vite. Nuk duhet të heqim dorë nga mbështetja e Ukrainës edhe nëse kostot janë të larta, jo vetëm për mbështetjen ushtarake, por edhe për shkak çmimeve në rritje të energjisë dhe ushqimeve”, theksoi ai për revistën e përjavshme gjermane “Bild”.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, i cili vizitoi Kievin të premten me një ofertë trajnimi për forcat ukrainase, paralajmëroi gjithashtu për rrezikun e “lodhjes së Ukrainës”, ndërsa lufta pritet të mbushë katër muaj.

Në një shkrim në Sunday Times të Londrës, kryeministri Johnson tha se kjo do të thotë që “Ukraina të marrë armë, pajisje, municione dhe trajnime më shpejt se sa agresori”.

Presidenti Zelenskyy tha se kishte vizituar forcat në rajonin jugor të Mykolaivit, rreth 550 kilometra në jug të Kievit.

“Ne nuk do t’ia japim jugun askujt, do të kthejmë gjithçka që është e jona dhe deti do të jetë i Ukrainës dhe i sigurt”, theksoi zoti Zelenskyy.

Ndërsa Rusia dështoi në fillim të luftës të rrëzojë qeverinë e presidentit Zelenskyy dhe të pushtojë Kievin, luftime të dendura po zhvillohen në pjesën lindore të vendit, duke u përqendruar në qytetin industrial të Sievierodonetskut në provincën Luhansk, që është pjesë e rajonit më të gjerë të Donbasit të cilin Rusia po përpiqet ta vërë nën kontroll.

Bombardimet vazhdojnë, por Guvernatori i Luhanskut, Serhiy Haidai i tha televizionit ukrainas, se “të gjitha pretendimet ruse se e kontrollojnë qytetin janë gënjeshtra. Ata kontrollojnë pjesën kryesore, por jo të gjithë qytetin”. Por ai tha se betejat i pamundësojnë evakuimet nga qyteti.

Analistët e Institutit për Studime mbi Luftën, me seli në Uashington, shkruajnë se “forcat ruse ka të ngjarë të jenë në gjendje të pushtojnë Sievierodonetskun në javët e ardhshme, por me koston e përqendrimit të shumicës së forcave të tyre në këtë zonë të vogël”.

*Disa pjesë të këtij materiali janë marrë nga agjencitë e lajmeve Associated Press dhe Reuters.

Show More

Related Articles

Back to top button