GostivarLajme

Dy milionë euro për uljen e papunësisë në Gostivar / Nis aplikimi për subvencione për punësim

Interesim i madh nga banorët e Gostivarit për masat aktive për vetëpunësim dhe subvencionim. Që në ditën e parë të shpalljes publike, në interval prej katër orësh, 200 qytetarë kishin aplikuar për këto masa, të cilat vijnë përmes Agjencionit për Punësim. Përgjegjësi i këtij institucioni në Gostivar, Votim Emshiu bën të ditur se me Planin operativ për punësim sivjet ka mbi 10 masa, ndërsa për të njejtat të cilat synojnë uljen e papunësisë, vetëm për komunat e Gostivarit, Vrapçishtit dhe Mavrovë – Rostushës janë paraparë dy milionë euro.

“Në kuadër të Planit operativ për vitin 2023 dhe i cili është miratuar nga ana e Qeverisë së RMV-së, Agjencioni për Punësim në bashkëpunim me UNDP-në për këtë vit ka paraparë që të ketë mbi dhjetë masa aktive në të cilat kanë të drejtë të aplikojnë personat të cilët evidentohen si të papunë në Agjencionin për Punësim. Ndër të gjitha masat aktive, qytetarët shumë interesim shprehin për masën vetëpunësim e cila vlenë për hapjen e bizneseve të vogla dhe asaj të subvencionimit për punësim të punonjësve, masë e cila vlenë për firmat e sektorit privat. Për realizimin e këtyre masave, vetëm në nivel të Gostivarit, Agjencioni për Punësim mendon të shpërndajë mjete deri në dy milionë euro të cilat janë të pakthyeshme. Andaj, shfrytëzojë rastin që të ftoj qytetarët që kanë interesim nga Gostivari, të komunës së Vrapçishtit dhe të Mavrovë – Rostushës që të vijnë dhe të aplikojnë për masën aktive që ata kanë interesim, të drejtë të cilën mund ta realizojnë në kuadër të zyrave këtu në Agjencionin për Punësim në Gostivar”, deklaroi Votim Emshiu, përgjegjës i Agjencionit për Punësim në Gostivar.

Sipas Emshiut, për të përfituar nga këto masa aktive, aplikuesi duhet të jetë i evidentuar si person i papunësuar në Agjencionin për Punësim. Shpallja për aplikim do të jetë e hapur deri të premten e javës së ardhshme.

“Kushti i vetëm është që personat të evidentohen si të papunë, pra të jenë kërkues aktiv për punësim dhe masat janë aktive nga sot deri në dhjetë ditë pune”, dekraon më tej Emshiu.

Vitin e kaluar ka pasur rreth dy mijë aplikime nga ana e qytetarëve të Gostivarit për masat aktive që i ofron Agjencioni për Punësim, ndërsa për realizimin e tyre ishin harxhuar rreth një milion e dyqind mijë euro.

Ndryshe në komunat Gostivar, Vrapçisht dhe Mavrovë – Roshtush 8 për qind e popullatës janë kërkues atktiv të punës ose rreth 10 mijë banorë nga këto tre komuna evidentohen si të papunë.

Show More

Related Articles

Back to top button