BotaLajme

Opozita në Turqi shqetësohet se zgjedhjet s’do të jenë të drejta

Teksa Turqia po u afrohet zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të kësaj fundjave, po rriten shqetësimet për mbarëvajtjen e zgjedhjeve që shihen si sfida më e madhe për presidentin Recep Tayyp Erdogan në 20 vjetët e tij si udhëheqës.

Që një kohë të gjatë, opozita në Turqi është ankuar se zgjedhjet po zhvillohen në një fushë loje të pabarabartë, pretendime këto që janë mbështetur shpesh nga vëzhguesit ndërkombëtarë.

Mbulimi mediatik është shembull që tregon në mënyrë të dukshme se ku Erdogan gëzon një avantazh ndaj kundërshtarëve të tij. Por, opozita është ankuar edhe për përdorimin e burimeve shtetërore gjatë fushatës dhe interpretimin e disktueshëm të ligjit për zgjedhje.

Rreth 90 për qind e mediave në Turqi janë në duart e qeverisë ose mbështetësve të saj, sipas organizatës Reporterët pa Kufij. Kjo i ka siguruar kohën më të madhe në transmetim presidentin Erdogan. Vetëm një pjesë e vogël e gazetave të opozitës shtypen ende, ndërsa shumica kanë kaluar në botime vetëm në internet.

Dominimi i qeverisë është vërejtur edhe në rrjete sociale, ku shumë zëra opozitarë janë tërhequr.

Një ligj për “dezinformomin” i prezantuar në tetor parasheh dënim me burgim deri në tre vjet për përhapjen e informacionit të rremë “me qëllimin e vetëm për të krijuar ankth, frikë ose panik në publik”.

Sinan Aygul, i vetmi gazetar që po ndiqet penalisht sipas këtij ligji të ri, u dënua me 10 muaj burgim në shkurt. Ai aktualisht është i lirë, pasi ka apeluar vendimin.

“Qëllimi i vërtetë është të heshtin të gjithë zërat opozitarë në shoqëri”, tha Aygul, kryetar i shoqatës së gazetarëve në Bitlis, në Turqinë juglindore. Është “një ligj që synon këdo që shpreh një mendim. Ai synon jo vetëm individët, por edhe organet e medias”, tha ai.

“Nëse do të ketë mashtrime në zgjedhje, të gjitha kanalet opozitare do t’u mbyllet goja përmes këtij ligji”, tha ai.

Erdogan ka shtuar numrin e paraqitjeve publike, të cilat ndiqen nga afër nga shumica e kanaleve televizive, dhe i përdor këto detyra zyrtare për t’i sulmuar rivalët e tij. Në një ceremoni të premten e Fitër Bajramit muajin e kaluar, ai e akuzoi opozitën se po “punonte me grupet terroriste”.

Projekte të shumta të mëdha po prezantohen gjithashtu pak para zgjedhjeve, si ndërtimi i reaktorit të parë të energjisë bërthamore në Turqi, i ndërtuar nga Rosatom, kompania shtetërore ruse e energjisë bërthamore.

Kritikët theksojnë gjithashtu përshtatjen e ligjit zgjedhor për t’i lejuar ministrat e qeverisë të jenë kandidatë për pozitën e deputetit përderisa mbajnë ende detyrën e ministrit, pavarësisht që një gjë e tillë nuk lejohet.

Adem Sozuer, nga fakulteti juridik në Universitetin e Stambollin, tha për gazetën opozitare Cumhuriyet se votuesit kishin humbur besimin tek autoritetet zgjedhore. “Ekziston dyshimi i përhapur në një pjesë të konsiderueshme të shoqërisë se zgjedhjet do të manipulohen”, tha ai.

Show More

Related Articles

Back to top button