Bota

Truss: Heqja e sanksioneve, pas tërheqjes së forcave ruse nga Ukraina

Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, ka thënë se sanksionet ndërkombëtare kundër Rusisë duhet të hiqen kur të gjitha trupat ruse të jenë larguar nga Ukraina. Ajo në një takim të ministrave të Jashtëm të shtatë shteteve më të industrializuara (G7) tha se presidenti rus, Vladimir Putin, duhet të përballet me disfatë në mënyrë që të parandalohet agresioni i mëtejmë. “Putin është duke e poshtëruar veten para botës”, ka thënë ajo, duke shtuar se atij duhet t’i mohohet çdo përfitim për shkak të pushtimit në Ukrainë.

“Është shumë e rëndësishme që të vazhdojmë presionin ndaj Vlladimir Putinit, duke dërguar më shumë armë në Ukrainë, duke rritur sanksionet. Uniteti I G7 ka qënë vital gjatë kësaj krize me qëllim të mbrojtjes së lirisë dhe demokracisë dhe do të vazhdojnë të punojmë së bashku në këtë drejtim”, deklaroi Liz Truss, Ministre e Jashtme Britanike.

Ndërkohë shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka premtuar 500 milionë euro shtesë mbështetje ushtarake për Ukrainën. Ai tha se se mbështetja ushtarake do të përfshijë tanke dhe artileri. Sipas tij, ndihma e BE-së për Ukrainën, duke përfshirë edhe këtë të fundit, shkon në rreth 2 miliardë euro. Borrel beson se do të arrihet një marrëveshje në ditët në vijim për një embargo ndaj naftës ruse.

“Më shumë mbështetje për Ukrainën, duke përfshirë mbështetje ushtarake. Bashkimi Evropian do të jap një ndihmë të re prej 500 milionë euro shtesë për ta mbështetur Ukrainën me pajisje ushtarake”, u shpreh Josep Borrell, shef i politikës së jashtme të BE-së.

Ndërkohë sulmet ruse në Ukrainë nuk ndalen. Ministria britanike e Mbrojtjes ka thënë sot se forcat ukrainase kanë ndalur me sukses një përpjekje të forcave ruse për të kaluar në Donbas përmes lumit. Ministria ka thënë se disa imazhe tregojnë se Rusia ka humbur pajisje të armatosura teksa ka tentuar të kalojë lumin Siverskyi Donets, dhe sipas saj, ushtarët rusë kanë dështuar që të shënojnë përparim në atë zonë. Komandantët rusë janë duke u përballur me presion në rritje nga udhëheqësit e tyre dhe janë duke zbatuar strategji të rrezikshme në fushëbetejë, është thënë në raport./Alsat.mk/

Show More

Related Articles

Back to top button