BotaLajme

SHBA do të dërgojë ndihma të tjera ushtarake në Ukrainë

Presidenti amerikan, Joe Biden njoftoi se SHBA do t’i japë Ukrainës ndihma të reja ushtarake. SHBA dhe vendet aleate do të ofrojnë edhe trajnim për pilotët ukrainas për të përdorur avionët luftarakë F-16.

Paketa me vlerë 375 milionë dollarë përfshin municion, artileri dhe automjete të blinduara, tha Biden në përfundim të samitit të G7 në Hiroshimë të Japonisë.

Ai e siguroi presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski në një takim në kuadër të samitit të G7 se SHBA-ja po bën gjithçka ka në fuqinë e vet për të forcuar mbrojtjen e Ukrainës kundër Rusisë. “Së bashku me të gjithë G7, ne mbështesim Ukrainën dhe premtojmë se nuk do t’ia kthejmë shpinën,” i tha Biden Zelenskit. Presidenti rus Vladimir Putin nuk do ta thyejë këtë vendosmëri.

Trajnim për pilotët ukrainas me avionë luftarakë F-16

Në takim Biden theksoi gatishmërinë e SHBA-së për të ndihmuar Ukrainën që të ndërtojë në perspektivë afatgjatë mbrojtjen e saj kundër agresionit rus dhe si dhe aftësitë parandaluese, tha zyra presidenciale. Përveç kësaj Biden tha se bashkë me aleatët dhe vendet partnere do të mbështesin Ukrainën për të trajnuar pilotë ukrainas që të përdorin avionë luftarakë modernë perëndimorë të tipit F-16.

Biden tha se Zelenski i kishte dhënë “garanci të pakushtëzuara” se Ukraina nuk do t’i përdorë avionë F-16 që po merr nga perëndimi për të depërtuar në territorin rus. Zelenski tha se ka besim se Ukraina do të marrë avionë F-16 nga Perëndimi.

Projekt afatgjatë

Kryeministri britanik Rishi Sunak njoftoi se vendi i tij do të fillojë trajnimin e pilotëve luftarakë ukrainas në verë. Megjithatë as Britania e Madhe dhe as Gjermania nuk kanë avionë luftarakë F-16 që dëshiron Ukraina. Kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha në Hiroshima se ai e sheh angazhimin e disa vendeve perëndimore për të trajnuar pilotët ukrainas për të përdorur avionët luftarakë F-16, kryesisht si një sinjal politik ndaj Rusisë se Perëndimi do të mbështesë Ukrainën në periudhë afatgjatë.

Kancelari gjerman tha se ai nuk pret që avionët luftarakë modernë F-16 do t’i dorëzohen Ukrainës në të ardhmen e afërt. “Trajnimi i pilotëve është një projekt afatgjatë,” tha Scholz në kuadër të samitit të G7 në Hiroshimë. SHBA-ja ende nuk ka vendosur përfundimisht se çfarë do të bëjë në përfundim të stërvitjes së pilotëve./DW

Show More

Related Articles

Back to top button