“Rusët me plan të çmendur: Moska dëshiron të ngrejë monument për një kriminel lufte në Moskë”, shkruan tabloidi Berliner Kurir, për idenë e ngritjes së një monumenti për presidentin e ish-Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, në kryeqytetin e Rusisë.
“Sllobodan Millosheviq ishte president i ish-Jugosllavisë derisa ra nga pushteti me anë të revolucionit të 5 tetorit 2000. Ai ishte përgjegjës për dhjetëra krime lufte të kryera nga forcat serbe në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë. Millosheviq ishte në ndërgjegjen e dhjetëra mijëra njerëzve, por për disa serb është hero”, shkruan Berliner Kurir (BK).
“Natyrisht, kjo është një arsye e mirë që Rusia të ngrejë një monument në Moskë për këtë diktator tashmë të ndjerë. Thuhet se ka qenë luftëtar kundër NATO-s”, shton kjo medie.
BK i referohet gazetës ruse Moskovski Komsomolets, që i referohet politologut Marat Bashirov se “është një plan për t’i ngritur një monument këtij krimineli të luftës – në mes të Moskës. Monumenti dy metra i lartë duhet të vendoset në sheshin Evropa në kryeqytetin rus”.
“Skulptura prej bronzi nuk është nga Serbia, por është vepër e skulptorit beogradas Dragan Radenoviq. Së shpejti do të transportohet në Moskë. Në atdheun e diktatorit, tashmë kishte një iniciativë për ngritjen e monumentit të Millosheviqit. Megjithatë, pas një proteste të fortë, ideja nuk u realizua”, vazhdon BK-ja.
Po ashtu, kjo medie gjermane shkruan se “miqtë e diktatorit shpesh ende pretendojnë se Millosheviqi u vra në Hagë. Në Rusi, në kohën e agresionit rus kundër Ukrainës dhe luftës së paramenduar kundër NATO-s, teoritë e konspiracionit gjejnë terren pjellor”.
“Në vitin 2001, Qeveria serbe e kryeministrit Zoran Gjingjiq arrestoi Sllobodan Millosheviqin dhe ia dorëzoi Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. Gjinxhiqit u vra në vitin 2003”, shkruan kjo gazetë.
“Ai konsiderohet bashkëpërgjegjës për krime të rënda lufte, duke përfshirë masakrën e Srebrenicës ndaj boshnjakëve, masakrën e kroatëve në Vukovar, dëbimin e 800 mijë shqiptarëve etnik të Kosovës, 170 mijë kroatëve dhe mijëra viktima të tjera”, shton media gjermane.
“Arsyeja e vetme që Millosheviqi nuk u dënua është se ai vdiq nga një atak në zemër para se të jepej vendimi”, përfundon Berliner Kurir.
Kjotojmë se grupi famëkeq “Ujqërit e Natës” i afërt me presidentin rus Vladimir Putin janë duke e ngritur këtë statujë të kasapit të Ballkanit. /Telegrafi