Një zyrtar i lartë rus i sanksionuar në Perëndim ka vizituar Arabinë Saudite dhe ka zhvilluar bisedime me homologun e tij në mbretëri, disa ditë pasi Volodymyr Zelensky iu drejtua me një fjalim gjatë një samiti të Ligës Arabe në qytetin port të Detit të Kuq, Jeddah, transmeton TCH.
Vizita e ministrit të Brendshëm, Vladimir Kolokoltsev nënvizon se si mbretëria dhe shtetet arabe të Gjirit, tradicionalisht klientë të sigurisë së SHBA-së, kanë ruajtur marrëdhëniet e tyre me Moskën në mes të luftës në Ukrainë.
Agjencia shtetërore e shtypit saudit tha se Kolokoltsev u takua me ministrin e brendshëm saudit Princ Abdulaziz bin Saud.
“Gjatë takimit ata diskutuan për mënyrat për të përmirësuar shtigjet e bashkëpunimit të sigurisë midis ministrive të brendshme të të dy vendeve, si dhe një sërë çështjesh me interes të përbashkët”– thuhet në raport, pa dhënë informacione të mëtejshme.