BotaLajme

Danimarka, Holanda do të udhëheqin programin për përgatitjen e ukrainasve për avionët F-16

Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, i përbërë nga drejtuesit ushtarakë të rreth 50 vendeve, u takua të enjten për të diskutuar se çfarë i duhet Kievit për të përballuar sulmin e forcave ruse, si dhe planet për përgatitjen e ukrainasve për përdorimin e avionëve luftarakë F-16. Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin kryesoi takimin virtual nga Pentagoni.

Ndërsa sulmi i forcave ruse në Ukrainë hyn në muajin e 16-të, drejtuesit ushtarakë perëndimorë u zotuan për më shumë mbështetje për Ukrainën, duke premtuar furnizimin e mëtejshëm me municione për sistemet e mbrojtjes kundërajrore të Ukrainës, si dhe një plan për të stërvitur ukrainasit për përdorimin e avionëve F-16, një proces i kushtueshëm ky që do të udhëhiqet nga Danimarka dhe Holanda.

“Kjo kushton dhe jo çdo vend ka avionë F-16 apo mundësinë të kontribuojë me programe përgatitore, mirëmbajtje apo mbështetje, por mund të ofrojnë ndihma monetare”, tha Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin.

Drejtuesi më i lartë ushtarak amerikan, Gjenerali Mark Milley, u përpoq të ulë pritshmëritë pas ngazëllimit që ngjalli lajmi për dhënien e avionëve F-16.

Në total, Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës ka angazhuar rreth 65 miliardë dollarë për asistencën e sigurisë për Ukrainën që nga fillimi i luftës.

Dhe zyrtarët e bënë të qartë se duan që armët e reja të ndryshojnë dinamikën në fushëbetejë, por të mos përdoren për të sulmuar territorin e Rusisë.

“U kemi kërkuar ukrainasve të mos përdorin armët e dhëna nga Shtetet e Bashkuara për sulme të drejtpërdrejta në Rusi. Përse? Nuk e duam këtë – kjo është një luftë ukrainase. Nuk është luftë mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Nuk është luftë mes NATO-s dhe Rusisë”, tha Gjenerali Milley.

Zyrtarët rusë kanë thënë se dhënia e avionëve F-16 do të ngrinte çështjen e përfshirjes së NATO-s dhe rrezikun e një apokalipsi bërthamor.

Rusia gjithashtu thotë se për një sulm në territorin rus këtë javë u përdorën armë të furnizuara nga Shtetet e Bashkuara, një pretendim ky që po shqyrtohet nga Pentagoni.

Grupet paraushtarake ruse që kundërshtojnë Kremlinin morën përgjegjësinë dhe Ukraina ka mohuar të jetë përfshirë drejtpërdrejt në këto sulme.

Show More

Related Articles

Back to top button