Liderët botërorë kanë uruar rizgjedhjen e presidentit Recep Tayyip Erdoğan në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Türkiye, pasi ai, sipas rezultateve jozyrtare të shpallura nga Këshilli Suprem Zgjedhor (YSK), ka dalë fitues, raporton Anadolu.
“Vëllai im i dashur, ju përgëzoj për fitoren tuaj dhe ju uroj sukses në mandatin tuaj të ri, të arrini atë që populli vëlla turk aspiron në aspektin e përparimit dhe prosperitetit”, shkroi në Twitter Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Al-Thani.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, po ashtu e përgëzoi presidentin Erdoğan për, siç shkroi ai në Twitter, “fitoren e tij të padiskutueshme në zgjedhje”.
Ndërkohë, presidentja hungareze, Katalin Novak, po ashtu uroi presidentin Erdoğan, duke theksuar se ajo pret me pa durim të punojë për forcimin e partneritetit dypalësh mes dy vendeve.
“Stabiliteti i Türkiyes është vendimtar për Evropën dhe mund të luajë një rol të rëndësishëm në arritjen e paqes në Ukrainë”, shkroi Novako në Twitter.
Gjithashtu edhe zyra e presidentit të Somalisë, Hassan Sheikh Mohamud, e uroi presidentin Erdoğan, duke shkruar në gjuhën turke: “Urime Türkiye vëllazërore dhe miqësore”.
Kryeministri somalez, Hamza Abdi Barre, nga ana e tij, uroi presidentin turk duke theksuar: “Shpreh urimet e përzemërta vëllait tim, presidentit Recep Tayyip Erdoğan”.
“Kjo tregon besimin dhe mbështetjen për udhëheqjen tuaj. Ne presim me pa durim të shohim rritjen e lidhjeve midis dy kombeve tona vëllazërore dhe përparimin e kombeve tona”, shkroi ai në mesazhin e tij të urimit.
– “Një lider botëror me politikë të ankoruar në shërbimin publik”
Kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, në mesazhin e tij të urimit e përshkroi presidentin Erdoğan si “një nga liderët e paktë botërorë, politika e të cilit është ankoruar në shërbimin publik”.
Edhe presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, dhe kryeministri Mohammad Shtayyeh uruan presidentin turk dhe popullin turk për “fitoren e tyre zgjedhore”.
Ndërkohë, kryeministri libian, Abdul Hamid Dbeibeh, tha se fitorja e presidentit Erdoğan tregon ripërtëritjen e besimit të popullit në projektet dhe politikat e tij të suksesshme.
Në një bisedë telefonike me Erdoğanin, presidenti i Uzbekistanit, Savkat Mirziyoyev, e ka uruar presidentin turk.
Presidenti i Malit të Zi, Miko Dukanoviq, po ashtu e përgëzoi presidentin Erdoğan dhe i uroi përparim të mëtejshëm në marrëdhëniet dypalëshe.
Presidenti i Gjeorgjisë, Irakli Garibanhvili, nga ana e tij, e uroi presidentin Erdoğan për rizgjedhjen e tij “bindëse” si lider i Türkiyes, duke e quajtur “mik të tij të madh”.
“Ne jemi të etur për të përmirësuar më tej lidhjet e miqësisë dhe partneritetit strategjik”, shkroi Garibanhvili në Twitter.
Presidenti algjerian, Abdelmajid Tebboune, gjithashtu ishte mes liderëve që uruan presidentin turk për fitoren në zgjedhje.
Sipas rezultateve jozyrtare, njoftoi kreu i Këshillit Suprem Zgjedhor të Türkiyes (YSK), Ahmet Yener, presidenti aktual Erdoğan fitoi garën zgjedhore me 52,14 për qind të votave, ndërsa kandidati i opozitës, Kemal Kılıçdaroğlu, grumbulloi 47,86 për qind të votave. Yener shtoi se deri më tani në mbarë vendin janë hapur 99,43 për qind e kutive të votimit.
Mbi 64,1 milionë qytetarë turq patën mundësinë të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës, përfshirë mbi 1,92 milion qytetarë të cilët hodhën votën e tyre në qendrat e votimit jashtë vendit.
Më 14 maj, në raundin e parë, asnjë kandidat nuk arriti të sigurojë 50 për qind të votave, duke çuar zgjedhjet në raundin e dytë, megjithëse Erdoğan kryesoi me 49,52 për qind.