Bashkimi Evropian ka dyfishuar numrin e pajisjeve në dispozicion për luftimin e zjarreve në pyje, tha komisionari i BE-së për menaxhimin e krizave, Janez Lenarcic.
Gjithsej 28 pajisjet do të mund të përdoren për kriza në shtetet anëtare të bllokut evropian, si dhe në vendet fqinje. Dhjetë aeroplanët e tipit Canadair, 14 avionë të lehtë dhe katër helikopterë do të jenë gati për atë që pritet të jetë një “verë tejet e ngarkuar”, tha Lenarcic në një intervistë me European Newsroom.
“Ky vit ka nisur tashmë me më shumë thatësi se zakonisht”, tha ai, duke vënë në dukje thatësinë e raportuar më parë në Portugali, Spanjë, Francë jugore dhe Itali veriore.