Holanda dhe Kanadaja e kanë dërguar Sirinë në Gjykatën Botërore lidhur me pretendimet për torturë, njoftoi të hënën Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ).
Në aplikimin e tyre, Kanadaja dhe Holanda pretenduan se “Siria ka kryer shkelje të shumta të ligjit ndërkombëtar, duke nisur të paktën nga viti 2011”. Këto dy shtete kërkuan që të ndërmerren masa emergjente në mënyrë që të mbrohen ata që janë në rrezik të torturohen, tha Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, që njihet edhe si Gjykata Botërore.
Këto dy shtete po kërkojnë të mbajnë përgjegjëse Qeverinë e presidentit sirian, Bashar al-Assad, për shkelje të rënda të të detajeve të njeriut dhe torturë, sipas Konventës të Kombeve të Bashkuara kundër Torturës që Damasku ka ratifikuar më 2004.
Nëse gjykata konstaton se ka juridiksion, atëherë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mund të bëhet gjykata e parë ndërkombëtare që do të mund të iniciojë një lëndë penale mbi përdorimin e supozuar të torturës nga Siria.
Kanadaja dhe Holanda vendosën të vepronin më 2020, pasi Rusia bllokoi disa përpjekje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të iniciuar çështje te Gjykata Ndërkombëtare Penale lidhur me shkeljet e të drejtave të njeriut në Siri. Kjo gjykatë ndjek penalisht individët për krimet e dyshuara të luftës./REL