BotaLajme

Trump del sot përpara gjykatës/ 37 akuza ndaj ish-presidentit për dokumentet e paautorizuara

Ish-presidenti Donald Trump ka mbërritur në Florida përpara daljes në një gjykatë federale në Majemi, për t’u përballur me aktpadinë për mbajtjen e paautorizuar të dokumenteve sekrete qeveritare.

Trump do të përballet me 37 akuza, mes të cilave, mbajtje e qëllimtë e dokumenteve sekrete të mbrojtjes, konspiracion, pengim të drejtësisë dhe deklarata të rreme. Kjo është hera e parë në historinë e vendit që ndaj një ish-presidenti ngrihen akuza federale.

Kjo do të jetë hera e dytë, që nga muaji prill, që Trump përballet me akuza penale, por ndryshe nga rasti i Nju Jorkut, ekspertët ligjorë e kanë cilësuar aktpadinë e prokurorëve federalë, një çështje më të fortë. Akuzat përfshijnë ndër të tjera shkelje të ligjit të spiunazhit, i cili e konsideron një vepër penale mbajtjen e paautorizuar të dokumenteve që lidhen me mbrojtjen.

Nëse shpallet fajtor, Donald Trump rrezikon një dënim maksimal prej 20 vitesh heqje lirie.

Ish-presidenti thotë se është i pafajshëm dhe është zotuar se do të vazhdojë fushatën e tij për t’u rizgjedhur në krye të Shtëpisë së Bardhë në vitin 2024.

Dalja e Trump në gjykatë po paraprihet nga një retorikë e përshkallëzuar në internet, përfshirë deklaratat me tone sfiduese nga ana e ish-presidentit dhe aleatëve të tij politikë. Kjo ka detyruar autoritetet të vihen në gatishmëri për probleme të mundshme që lidhen me sigurinë.

Problemet ligjore nuk e kanë dëmtuar popullaritetin e Trump në mesin e votuesve republikanë. Sondazhet e opinionit publik e tregojnë atë shumë përpara rivalëve të tij, që garojnë për të siguruar kandidimin zyrtar nga partia. Deri më tani, të gjithë kandidatët kanë qenë kryesisht në anën e tij mbi këtë çështje.

Show More

Related Articles

Back to top button