Policia në Portugali tha të enjten se gjeti pak më shumë se 8 tonë kokainë të fshehur brenda dërgesave të bananeve nga Kolumbi, raportoi AP.
Kokaina ishte fshehur në tre anijeve të ngarkesave në Setubal, një port rreth 50 kilometra në jug të kryeqytetit portugez, Lisbonës, tha policia.
Sipas policisë, anijet bënin kalime të rregullta në Atlantik dhe kokaina ishte e destinuar për disa vende evropiane.
Megjithëse konfiskimet e mëdha të kokainës nuk janë të rralla në Portugali, apo në pjesën tjetër të Evropës, policia tha se ishte një nga më të mëdhatë ndonjëherë në vend. Droga vlerësohet të jetë prej më shumë se 300 milionë euro.
Evropa është aktualisht tregu më i madh botëror për kokainën, thuhet në deklaratë.
Deri më tani këtë vit, policia në Portugali ka kapur pak më shumë se 12 tonë kokainë – një rritje prej gati 23% ndaj totalit për të gjithë vitin e kaluar.
© KOHA.