OKB-ja ka akuzuar Rusinë se ka refuzuar të lejojë dërgesat e ndihmave në zonat e kontrolluara nga Moska të prekura nga përmbytjet pas shkatërrimit të digës Kakhovka pothuajse dy javë më parë.
“Qeveria e Federatës Ruse deri më tani ka refuzuar kërkesën tonë për të hyrë në zonat nën kontrollin e përkohshëm ushtarak të saj”, tha në një deklaratë Denise Brown, koordinatorja humanitare e OKB-së për Ukrainën, përcjell Telegrafi.
“OKB-ja do të vazhdojë të angazhohet për të kërkuar qasjen e nevojshme. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve ruse të veprojnë në përputhje me detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar humanitar”.
“Ndihma nuk mund t’u mohohet njerëzve që kanë nevojë për të”.
Deklarata vjen pasi autoritetet ukrainase dhe ruse thanë se numri i të vdekurve nga përmbytjet ishte rritur në 52.
Zyrtarët rusë thanë se 35 persona kishin vdekur në zonat e kontrolluara nga Moska dhe ministria e brendshme e Ukrainës tha se 17 kishin vdekur dhe 31 ishin të zhdukur, raportoi Reuters. Më shumë se 11,000 janë evakuuar nga të dyja anët.
Shembja e digës së kontrolluar nga Moska më 6 qershor shkaktoi përmbytje në të gjithë Ukrainën jugore dhe pjesë të pushtuara nga Rusia të rajonit Kherson, duke shkatërruar shtëpitë dhe tokat bujqësore dhe duke ndërprerë furnizimet për banorët.
Një ekip ekspertësh ndërkombëtarë ligjorë që ndihmojnë prokurorët e Ukrainës në hetimin e tyre thanë se ishte “shumë e mundshme” që shembja e digës të ishte shkaktuar nga eksplozivët e vendosur nga rusët.